Një sasi e madhe marijuane është kapur falë një operacioni të përbashkët të policisë shqiptare dhe asaj italiane. Një gomone me 506 kg marijuanë u kap në afërsi të bregdetit të Leçes, ku kishte mbërritur nga Shqipëria. Në pranga janë vënë dy skafistët nga Vlora, të cilët e kanë hedhur lëndën në det dhe kanë tentuar të largohen.
Njoftimi i policisë
Operacioni i përbashkët mes Policisë së Shtetit, Guardia di Finanza dhe Frontex. Nga pala shqiptare në operacion po marrin pjesë Njësitë e Policisë së Kufirit të Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza NUFROM me njësitë e Vlorës. Nga pala italiane operacioni u finalizua nga njësitë operative Aerodetare të Guardia di Finanza të Pulias me mbështetjen e një avioni të Frontex. Si rezultat i një operacioni të përbashkët ndërmjet shërbimeve të Policisë Kufitare dhe Guardia di Finanza NUFROM, ku u përfshinë avioni i FRONTEX, si dhe njësia operative aerodetare e Guardia di Finanza të Pulias, u bë e mundur që 20 milje në afërsi të San Kataldos në Leçe, të bllokohej gomonia 6 metra e gjatë me dy shqiptarë në bord. Gjatë ndjekjes dy skafistët e kanë hedhur lëndën narkotike në det. Dy skafistët shqiptarë B.H 48 vjeç, banues në Vlorë dhe E.N. 31 vjeç, banues në Vlorë, janë arrestuar nga Guardia di Finanza për veprën penale “Trafik ndërkombetar i lëndëve narkotike”. Lënda narkotike e hedhur në det në këto momente është grumbulluar nga policia. Gjithësej 28 pako të mëdha me peshë totale 506 kg. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë italiane, po punojnë për zbardhjen e plotë të këtij rasti trafiku, si dhe për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në të dy vendet.



