
Duke diskutuar për derbin e ditës së nesërme Partizani-Tirana, në studion e emisionit “Skaner” në MCN TV, trajneri Nevil Dede, ka replikuar ndaj avokatit Fation Shehu, pasi ky i fundit deklaroi se presidentët Refik Halili dhe Gaz Demi nuk ndërhyjnë në formacion.
Dede tha se për presidentin e Tiranës, se nuk mund të thuhet që nuk ndërhyn në formacion, pasi sipas tij Halili e ka pranuar vetë që bën ndërhyrje.
Vlen të përmendet se kur Dede u largua nga drejtimi i Tiranës një vit më parë, u përfol se kjo ndodhi për shkak se presidenti Halili kishte tentuar të ndërhynte në formacion.
Pjesë nga biseda:
Fation Shehu: "Unë mendoj që të dy presidentët, futen te ata që e duan klubin dhe investojnë shumë. Qoftë për Demin, ashtu edhe për Halilin, janë stereotipa pozitive të presidentit. Investojnë në ekipet e tyre dhe mesa kemi parë nuk bëjnë ndërhyrje në ekip, për formacionin."
Nevil Dede: "Presidentët Demi dhe Halili nuk ndërhyjnë në formacion? Fol vetëm për njërin, jo për të dy. Presidenti Refik Halili e ka thënë vetë që unë kur dua bëj ndërhyrje edhe në formacion."



