
Zëdhënësja e shefes për Politikën e Jashtme të BE-së, Maja Kocijançiç ka reaguar pas anulimit të zgjedhjeve nga Presidenti Ilir Meta duke kërkuar që të respektohet Kushtetuta në mënyrë që qytetarët të votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.
Ajo theksoi se vendimi për djegien e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve nga ana e opozitës pengojnë funksionimin e demokracisë në vendi. Sipas saj kjo ka qenë një zgjedhje e qëllimshme e partive opozitare.
Për Koçijançiç parlamenti funksionon plotësisht pasi përfaqësuesit e opozitës janë zëvendësuar. Në fund ajo bëri thirrje që palët të angazhohen në dialog për të kapërcyer situatën.
“Ne po ndjekim zhvillimet. Kjo është një çështje për t’u trajtuar nga institucionet shqiptare në përputhje me legjislacionin dhe jurispudencën ekzistuese, në respekt të plotë të parimeve kushtetuese dhe demokratike.
Siç është thënë tashmë, ne konsiderojmë se vendimi për heqjen dorë nga mandatet parlamentare dhe jo për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale seriozisht pengojnë funksionimin e demokracisë në Shqipëri.
Kjo ka qenë një zgjedhje e qëllimshme e partive opozitare. Përfaqësuesit e opozitës janë zëvendësuar në Parlament, që funksionon plotësisht. Tani është thelbësore që të ruhet e drejta kushtetuese e qytetarëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet lokale dhe për të siguruar vazhdimësinë e qeverisjes lokale.
Ne përsërisim thirrjen tonë për të gjitha palët që të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike”, është shprehur ajo.
Ndërkohë, OSBE-ja përmes drejtuesit të misionit, Miroslav Lajçák, që është edhe ministër i Jashtëm i Sllovakisë kërkon që të respektohet Kushtetuta, që qytetarët shqiptarë të votojnë brenda afatit ligjor që parashikohet.
“Ai shprehu besimin se udhëheqësit do të veprojnë në përputhje me parimet demokratike dhe do të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar për përfaqësuesit e tyre brenda afatit kohor të përcaktuar nga kuadri ligjor shqiptar”, thuhet në njoftim e OSBE-së në faqen e saj zyrtare.
Kryesuesi i OSBE-së shprehu shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet në Shqipëri, të cilat sipas tij, mund të thellojnë më tej krizën politike dhe si pasojë të sjellin ndalimin e funksionimit të institucioneve shtetërore.
Miroslav Lajçák u bëri thirrje udhëheqësve politikë të demonstrojnë përmbajtje dhe respekt për legjislacionin në fuqi, si dhe për rolet kushtetuese të institucioneve përkatëse demokratike.



