
Miliona besimtarë myslimanë në mbarë botën festojnë dhe falin sot Kurban Bajramin. Mijëra shqiptarë janë mbledhur dhe kanë bërë faljen e parë të mëngjesit në sheshin “Skënderbej”
Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Bujar Spahiu u shpreh se kurbani është simbolikë e kësaj dite si shenjë mirënjohje ndaj Zotit.
Një ndër festat më të rëndësishme të komunitetit mysliman, Kurban Bajramin e kanë uruar edhe politikanët shqiptarë të pozitës e opozitës me postime në mediat sociale.
Kreu i qeverisë, kryeministri Edi Rama, ka postuar një foto të Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër dhe ka uruar gëzuar Bajramin, duke thënë se po punohet për ta nxjerrë në dritë godinën.
"Edhe me këto pamje të punës së bukur për nxjerrjen në dritë të Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, Gëzuar Kurban Bajramin."

Presidenti i vendit, Ilir Meta, në urimin e tij, e ka vënë theksin te toleranca, dialogu dhe bashkëpunimi për një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe për t’u ngritur mbi interesat personale.

“Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë!
Gëzuar Festën e Kurban Bajramit!
Në këtë ditë të shenjtë, feste e bashkimi, kur ne ndajmë begatinë tonë me njerëzit në nevojë dhe solidarizohemi me ta, ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit!
Kjo festë që vërteton harmoninë e bashkëjetesën tonë fetare, uroj të na nxitë për më shumë tolerancë, dialog gjithpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Europa!
Dita simbol e sakrificës sublime në emër të vlerave më të mira njerëzore e hyjnore, na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar, për të shëruar njëherë e përgjithmonë plagët e thella të shoqërisë sonë, varfërinë, korrupsionin, polarizimin e tejskajshëm, arrogancën dhe padrejtësinë, për t'u përkujdesur e shtuar vëmendjen për fëmijët jetimë, të moshuarit, të vetmuarit dhe për të gjithë ata që luftojnë me vështirësi dhe me sëmundje.
Të bashkuar rreth vlerave më të mira njerëzore, hyjnore e kombëtare, rreth familjes e kombit ne do t'ia dalim, pavarësisht kostove e sfidave që kërkohen!
Nga mot Gëzuar Kurban Bajramin!”
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, u ka uruar besimtarëve mirësi, shëndet e mbarësi të gjithë besimtarëve që kremtojnë Kurban Bajramin.

"Të dashur vëllezër dhe motra besimtarë myslimanë, ju uroj nga zemra Gëzuar Festën e Sakrificës, këtë kremtim të shenjtë të fuqisë së besimit tek Krijuesi. Zoti ju faltë mirësi, mbarësi dhe shëndet ju dhe familjeve tuaja dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët kudo ku janë",
Kryesocialdemokratja, Monika Kryemadhi, e ka quajtur Kurban Barjamin si një festë simbolike që përcjell vlerat e jetës dhe e ka vënë theksin te solidariteti, për një të ardhme më të mirë. Ajo u shpreh se problemet shoqërore mund të gjejnë zgjidhje vetëm duke ndërtuar sisteme të drejta e të ngritura mbi vlera!

“Gëzuar Kurban Bajramin!
Nga zemra uroj një Bajram të begatë për çdo familje shqiptare!
Kurban Bajrami është festa më simbolike e besimit të plotë tek Krijuesi, festë e cila na transmeton disa mesazhe esenciale mbi vlerat e jetës dhe mënyrën se si ajo duhet jetuar!
Qëllimi i kurbanit dhe besimit nuk qëndrojnë tek materialja, përkundrazi.
Sakrifica në emër të Zotit, ndihma për nevojtarët, dashuria në familje dhe paqja janë urtësitë e kësaj feste!
Ne të gjithë kemi nevojë që ti reflektojmë këto parime në jetët tona dhe shoqëri!
Shqipëria sot ka nevojë për më shumë solidaritet në mënyrë që të ofrojë mundësi për një të ardhme më të mirë, për të gjithë!
Plagët sociale si varfëria, korrupsioni, emigrimi dhe probleme të tjera shoqërore mund të gjejnë zgjidhje vetëm duke ndërtuar sisteme të drejta e të ngritura mbi vlera!
Ne duhet të fitojmë kohën e humbur!”
Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se:
"Gëzuar Kurban Bajramin!
Të dashur miq, sot besimtarët muslimanë shqiptarë festojnë Kurban Bajramin. Këtë ditë të shenjtë ata nderojnë dhe vlerësojnë sakrificën, përkushtimin dhe dashurinë ndaj të Gjithfuqishmit, familjes, kombit dhe vendit të tyre. Me lutjen time ndaj Krijuesit që të gjitha sakrificat dhe përpjekjet tona të na i pranojë dhe kthejë në tëe mira, nga zemra uroj që Kurban Bajrami i ardhshëm më mirë ta festojmë."




