
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike në Kosovë deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se masat e sigurisë që qeveria e Albin Kurtit ka vendosur për importin e mallrave që vijnë nga Serbia dhe riorientimi i tregut si pasojë e këtij vendimi nuk do të ketë kosto shtesë që do të reflektohen tek produkti final që do blejnë konsumatorët. Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Rafuna tha se Kosova duhet të ketë një marrëdhënie tregtare të veçuar me Shqipërinë kundrejt vendeve të tjera të Ballkanit. "Janë dy faktorë, një prej faktorëve është që agjencia e statistikave e ka bërë vlerësimin në bazë të vlerës dhe kemi një ulje të inflacionit krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin e kaluar. Tani nuk e kemi inflacionin në shifrat që e kishim, kemi një stabilizim dhe e dyta e ka pas ndikim masa e sigurisë që ka vendos qeveria e Kosovës ndaj mallrave që eksportohen prej Serbisë. Kjo masë e sigurisë është vendosur nga qeveria si rezultat i mospasjes së mundësisë për të importuar nga Serbia shumë kompani prodhuese të huaja të cilat gjenden në Serbi i kanë orientuar kompanitë kosovare që të blejnë mallrave prej degëve të tyre në vendet e rajonit. Kjo ka qenë një mundësi që i është ofruar kompanive kosovare që mallrat që i kanë importuar nga Serbia t’i zëvendësojnë me mallrat identike apo përafërsisht të njëjta nga degët e kompanive në vendet e BE apo rajonit ku janë ato. Një pjesë është zëvendësuar nga këto vende. Tani varet sa do të jetë në fuqi kjo masë e sigurisë. Bizneset do të jenë të detyruara t’i marrin nga vendet e tjera, t’i zëvendësojnë , kjo do të ketë një kosto shtesë, por nuk besoj se do të ketë shtrenjtim në produktet finale pasi bizneset janë të kujdesshëm për të mos humbur konsumatorit. Nuk do reflektohet në çmimin final. Varet nga kërkesa dhe oferta dhe mundësisë për të eksportuar. Dihet që kosovarët, kemi strukturë familjare me vendet e BE dhe kjo ka ndikuar që të kemi më shumë tregti. Shumë kosovarë kanë hapur ndërmarrjet e tyre në vendet e BE-së dhe funksionojnë drejtpërdrejtë me ndërmarrjet tona. Dhe me CEFTA nuk jemi keq, sidomos me Shqipërinë që kemi një avancim goxha të mirë, por ka ende hapësirë për të bashkëpunuar . Duhet të kemi marrëdhënie tregtare të veçuar me Shqipërinë kundrejt vendeve të tjera të Ballkanit".



