
Booking.com është faqja më me influencë në tregun e agjencive të udhëtimit. Sipas një studimi të kryer vitin e kaluar nga Hotrec, shoqata që mbulon hotelet, restorantet dhe kafenetë e Europës, Booking ka pasur në vitin paraardhës 66.4% të tregut të kontinentit të vjetër. Paratë e mbledhura nga turistët që zgjedhin të udhëtojnë botën bëjnë të pasur menaxherin e përgjithshëm, Glen Foegel, i cili vetëm gjatë vitit 2017 është paguar plot 27.7 milionë dollarë, që megjithatë janë shumë pak në raport me fitimin në total, plot 12.6 miliardë dollarë. E lindur në Holandë në vitin 1996 si një start-up, Booking është sot një nga kompanitë më të mëdha të tregtisë online me 17 mijë punonjës dhe 198 zyra të shpërndara në 70 vende të botës.
Selia e rezervimeve në Herengracht, Holandë, është në të vërtetë vetëm faza e dytë e udhëtimit të mundimshëm të parave tona, kur vendosim të udhëtojmë botën duke e nisur me një klikim.
Ndalesa e parë është prenotimi i një udhëtimi - për shembull - në Itali. Kush paguan qëndrimin (ose edhe biletën e avionit apo qiranë e një makine) nuk i paguan asnjë tarifë Booking-ut, pasi është hotelieri ai që paguan rreth 15% të asaj që është paguar. Është e lehtë të kuptohet që edhe ata që prenotojnë indirekt kontribuojnë në kuotë.
Paratë nga hoteleri përfundojnë në filialin e vendit ku ndodhet ai, i cili i transferon dividentët në Amsterdam. A mbaron udhëtimi këtu? Sigurisht që jo. Nga Amsterdami, paratë arrijnë në Londër, ku, pasi kalojnë disa ndërveprime, fluturojnë jashtë shtetit për në parajsën fiskale të Amerikës në Delaware, ku ka selinë kompania mëmë Booking Holdings inc. Kjo e fundit është e listuar në bursën e Nasdaq-ut në New York, çka e bën transparent dhe të gjurmueshëm profilin financiar të të gjithë grupit.



