
Një javë me temperatura të larta pritet të përfshijë vendin tonë, sipas parashikimeve të IGJEUM.
Meteorologia Anira Gjoni, në një prononcim për “MCN Live”, u shpreh se temperaturat do të jenë të larta gjatë gjithë javës, ndërsa kulmi pritet të arrihet të martën dhe të premten, kur termometri mund të shënojë deri në 36°C.
Do të jetë një javë e nxehtë, pasi kontinenti evropian ndodhet nën ndikimin e një mase ajrore të ngrohtë, një situatë e ngjashme me atë të muajit maj, kur Evropa u përfshi nga një valë të nxehti.
Tashmë ndodhemi në stinën e verës dhe pritet që edhe rajoni ynë të ndikohet nga kjo situatë.
Temperaturat maksimale në zonat e ulëta do të arrijnë deri në 36°C gjatë ditës së sotme, nesër dhe të premten.
Ndërsa të mërkurën dhe të enjten, temperaturat maksimale pritet të luhaten nga 34 deri në 35°C.
Vëmendje duhen kushtuar edhe temperaturave minimale, të cilat do të mbeten relativisht të larta për orët e mëngjesit, duke arritur deri në 21°C, veçanërisht të martën dhe të mërkurën.
Në pjesën perëndimore të vendit moti do të mbetet kryesisht i qëndrueshëm, ndërsa temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve pritet të rrisin rrezikun e zjarreve në disa zona të vendit.



