Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman (MBS), viziton sot Greqinë dhe Francë. Lajmin e bënë të ditur fillimisht mediat shtetërore. Ky është udhëtimi i tij i parë në Bashkimin Evropian që nga vrasja e gazetarit disident, Jamal Khashoggi në vitin 2018.
Vrasja dhe copëtimi i Khashoggi-t nga agjentët sauditë në konsullatën e Stambollit të mbretërisë në tetor 2018 i solli princit të fuqishëm të kurorës një distancim nga komuniteti ndërkombëtar.
Ai do të takohet me krerët e Francës dhe Greqisë "për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe mënyrat për t'i përmirësuar ato në fusha të ndryshme", njoftoi Agjencia zyrtare e Shtypit Saudite, duke cituar një deklaratë nga oborri mbretëror.
Udhëtimi vjen më pak se dy javë pasi Presidenti Joe Biden vizitoi qytetin saudit të Jeddah-ut për një samit të liderëve arabë dhe u takua kokë më kokë me princin e kurorës, duke e përshëndetur atë me grusht.
Ky veprim vulosi tërheqjen e Biden nga një premtim i fushatës zgjedhore presidenciale për ta kthyer mbretërinë në një "paria" për çështjen Khashoggi dhe polemika më të gjera për të drejtat e njeriut.
Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë konkluduar se MBS "aprovoi" operacionin që çoi në vdekjen e Khashoggi, megjithëse Riadi e mohon këtë, duke fajësuar operativët që kryen aktin makabër.
Pasi pushtimi rus i Ukrainës shkaktoi një rritje të çmimeve të energjisë në fillim të këtij viti, Arabia Saudite u vu nën presionin e Uashingtonit dhe fuqive evropiane për të pompuar më shumë naftë.
Çmimet e ngritura të naftës kanë qenë një faktor kyç në rritjen e inflacionit në SHBA në nivelet më të larta të 40 viteve, duke ushtruar presion mbi administratën Biden përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit.
Por eksportuesi më i madh në botë i naftës së papërpunuar i ka rezistuar presionit për të hapur çezmat e furnizimit, duke përmendur angazhimin e tij ndaj orareve të prodhimit të përcaktuara nga blloku eksportues i OPEC+ që bashkë-drejton me Rusinë.
Në maj, ministri i jashtëm saudit Princi Faisal bin Farhan deklaroi se mbretëria kishte bërë atë që mundej për tregun e naftës.
Javën e kaluar, Presidenti francez Emmanuel Macron priti presidentin e ri të Emirateve të Bashkuara Arabe të pasura me energji, Sheikh Mohamed bin Zayed Al-Nahyan, në Paris.
Gjatë atij udhëtimi, zyrtarët njoftuan një marrëveshje midis gjigantit francez të energjisë Total Energies dhe kompanisë shtetërore të naftës ADNOC të Emirateve të Bashkuara Arabe "për bashkëpunim në fushën e furnizimit me energji".



