Ambasadori i Rusisë në Tiranë thotë se ka shpresë për një rikthim të normalitetit në marrëdhëniet ruso-shqiptare. Aktualisht, raportet me Shqipërinë, ambasadori Afanasiev i shikon në pikën zero, me një mungesë totale kontakti mes Kremlinit dhe Tiranës zyrtare. Por shton se vlerëson përkrahjen e popullit shqiptar, në dallim sipas tij të qëndrimeve pro-amerikane të klasës politike.
Mendoj se po. Rusia nuk inicioi ftohjen e marrëdhënieve me Shqipërinë. Kjo nuk është zgjedhja jonë. Rusia i ofroi Shqipërisë zhvillimin e dialogut dhe ndërveprimit konstruktiv brenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së në periudhën 2022-2023, kur ajo ishte anëtare jo e përhershme e tij - për fat të keq, më kot.
Sidoqoftë, diplomacia ruse zgjidh të njëjtën detyrë për të gjithë - të zhvillojë, dhe jo të “varrosë” marrëdhëniet me një shtet ose një tjetër. Vendi ynë ka çfarë t’u ofrojë partnerëve të huaj, përfshirë Shqipërinë, në rast të marrëdhënieve normale dhe jo armiqësore. Sot, Rusia është një vend i teknologjive të larta, i cili ndërton makineri, automobilë dhe robotë për shpërndarje, aeroplanë dhe raketa hapësinore, anije dhe nëndetëse, zbulon mënyra të reja për të trajtuar sëmundjet dhe krijon preparate mjekësore përparimtare, zhvillon industrinë globale të IT. Më lejoni t’ju kujtoj se Rusia ishte një nga vendet e para në botë që i ofroi Shqipërisë vaksinën e saj “Sputnik” gjatë pandemisë së koronavirusit.
Vjeshta e vitit 2024 shënon 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Rusisë dhe Shqipërisë. Ne kemi shumë për të kujtuar, duke përfshirë shumë gjëra të mira. Koha kalon, por brezi i vjetër ende kujton dhe është mirënjohës për ndihmën në ndërtimin e vendit që populli sovjetik i dha Shqipërisë mike në vitet 1945-1961. Kjo mirënjohje na transmetohet ndër breza shqiptarësh edhe sot e kësaj dite. Ne e vlerësojmë këtë dhe besojmë se do të vijë dita kur marrëdhëniet midis vendeve tona do të përmirësohen. Në aspektin moral dhe shpirtëror, popujt rus dhe shqiptar janë të afërt dhe kanë të përbashkëta shumë vlera, të cilat nuk do të mund t’i gjeni më në Perëndim. Kjo është një platformë e mirë për të parë me optimizëm të ardhmen e marrëdhënieve ruso-shqiptare.
Me pak fjalë, Moska është e gatshme të rivendosë me Tiranën një bashkëpunim të gjithanshëm dhe me dobi të ndërsjellë, në rast se dhe në kohën kur këtë do ta dëshirojë vetë pala shqiptare. Fatkeqësisht, ndonjë lëvizje pozitive ne nuk po shohim ende.
Gazëtar: Disa politikanë shqiptarë akuzojnë Moskën për financimin e partive politike në Shqipëri. Më herët ka patur akuza se nga Rusia ka financime edhe për media shqiptare. Cili është komenti juaj për këto akuza? A i keni diskutuar këto çështje me autoritetet shqiptare?
Ambasador: Disa politikanë shqiptarë dhe publicistë lokalë të angazhuar në politikën e brendshme, por edhe të jashtme gjithashtu, përdorin çdo mundësi, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore, për të fajësuar Rusinë, Kremlinin, V.Putinin, “rublën ruse” për të gjitha problemet e vendit dhe gabimet e udhëheqjes së tij, si dhe për të gjetur “gjurmë ruse” atje, ku nuk ka. Vendi ynë akuzohet jo vetëm për financimin e mediave të huaja dhe partive politike, por edhe për përpjekjet për të ndikuar në proceset zgjedhore. Flitet shumë për synimin e Moskës për të destabilizuar situatën në Ballkan, për të hapur, gjoja, këtu një “front të dytë”, me qëllim largimin e vëmendjes së NATO-s nga konflikti në Ukrainë. Periodikisht, shfaqen materiale për “spiunë rusë në zemër të Evropës”, etj. Kjo është tabloja e përgjithshme për të gjithë Evropën e sotme, që punon në një vrull të përbashkët për promovimin e porpagandës antiruse. Skenaret shkruhen pas oqeanit, në Shtetet e Bashkuara, të cilat zotërojnë shumicën dërrmuese të mediave botërore. Nga andej edhe lëshohen komanda për ekzekutimin e urdhrave.
Rusia ka mohuar vazhdimisht akuza të tilla. Të gjitha këto deklarata janë një sërë klishesh propagandistike që nuk i qëndrojnë asnjë kritike. Unë do të doja të theksoja se deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë reale që do të mbështeste disi spekulime të tilla. Gjithçka është në nivelin e “highly likely”... të hodhën baltë, pastrohu vetë. Këto çështje me politikanët shqiptarë ne nuk i kemi diskutuar. Është një gjë të hedhësh akuza të pabaza kundër nesh nga media ose nga tribunat e forumeve të ndryshme, është një gjë tjetër të veprosh me fakte dhe informacione që meritojnë vemendje.
Ne përpiqemi t’i përgjigjemi të gjitha spekulimeve dhe shpifjeve më të urryera në adresë të Rusisë dhe udhëheqjes së saj përmes faqjeve tona në rrjetet sociale. Po përhapim këtu informacionin tonë, alternativ ndaj atij perëndimor, të cilin, megjithatë, tashmë e kanë quajtur “propagandë ruse” dhe po përpiqen të mbrojnë prej tij me çdo mjet ata njerëz që janë të interesuar dhe që mendojnë ndryshe.



