
Dy shkollave në kryeqytet u është vendosur shiriti nga ekspertët pasi kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ajo që bie në sy është se si shkolla “Emin Duraku” ashtu edhe ajo “Sami Frashëri” ishin rikonstruktuar nga bashkia e Tiranës dhe ishin çertifikuar si të sigurta.
E rikonstruktuar vetëm tre vite më parë nga Bashkia e Tiranës, shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet i është vënë shiriti.
Rrethimi e bën objektin të duket si një zonë krimi. Roja kërkon nga kamerat të mos filmojnë dëmet që ka lënë pas tërmeti i 26 nëntorit. Grupet e xhirimit nuk lejohen të hyjnë në brendësi të shkollës, ndërsa asnjë nga drejtuesit e shkollës nuk pranon të japë informacion mbi cilësinë e punimeve të rindërtimit.
“Emin Duraku” nuk është shkolla e vetme në kryeqytet që ndonëse bashkia e kishte çertifikuar si të sigurtë pas rindërtimit, tashmë klasifikohet në objektet e pasigurta. Të njëjtin fat ka edhe gjimnazi më i njohur në kryeqytet “Sami Frashëri”, i rikonstruktuar nga bashkia vetëm një vit më parë.
Dëmtimet janë të mëdha, ndërsa jashtë kameras drejtoresha e këtij gjimnazi thotë se nuk kanë dijeni për zhvendosjen e nxënësve.
Gazetarja : Drejtoreshë të lutem, a mund t’a di çfarë dëmesh ka shkolla?
Drejtoresha e shkollës: S’jam e autorizuar, unë jam zyshë matematike, s’jam inxhiniere.
Gazetarja: Çfarë ka konstatuar grupi I inspektimit?
Drejtoresha e shkollës: Grupi i inspektimit nga bashkia thotë që përbën rrezik, mos u futni. Konkretisht brenda është grupi i inspektimit prapë. Kur vendoset shiriti , prandaj është dhe policia, nuk lejohet njeri të hyjë se quhet skenë krimi. Domethënë nuk lejon njeri të hyjë brenda. Unë kam hyrë ditët e para që s’kishim dëmtim, nga tërmeti i dytë filluan dëmtimet në shkollë.
Gazetarja: Sa nxënës janë ?
Drejtoresha e shkollës: 1452 nxënës
Gazetarja: Ku mendohet të shkojnë këto nxënës?
Drejtoresha e shkollës: Atë e di ministria, prononcohet ministria.
Të martën bashkia prishi po ashtu shkollën e Pezës në prani të kryebashkiakut Veliaj, i cili tha se bashkia po nxjerr mësime nga e kaluara, pa specifikuar nëse bëhet fjalë për mënyrën si janë rindërtuar apo supervizuar shkollat dhe kopshtet në kryeqytet.
E pyetur nga tema Tv ministrja e Arsimit pranon se edhe shkolla të tjera në kryeqytet që janë rikonstruktuar nga bashkia mund të kenë pësuar dëme nga tërmeti, duke lënë të kuptohet se përgjegjësia për ndërtimet e reja është e pushtetit lokal.
“Në bashkinë e Tiranës, kemi një numër të konsiderueshëm të shkollavë që kanë nevojë për riparime mesatare, dhe mësimi nuk do të filloj deri më 9 dhjetor, që do të thotë se i kemi edhe pesë ditë që të shofim çfarë intervenimesh ka bërë bashkia, dhe të sigurohemi që shklla hapet me 9 dhjetor, apo që nxënësit të zhvendosen në një shkollë tjetër”.
Shahini nuk përjashton që mësimi në kryeqytet të bëhet me dy turne apo në ambiente të improvizuara.
“Ne kemi një plan fillestar për zhvendosjen e të gjithë nxënësve, në shkollat të cilat janë indetifikuar si me probleme, dhe ky plan do të zbatohet në rastë se shkolla me të vërtetë do të ketë ende probleme, me datë 7 e 8 dhjetor. Pra e kemi të gjithë situatën nën monitorim, dhe nëse kjo, apo çfardo shkolle tjetër nuk hapet me datë 9 dhjetor, jemi 100 përqind gati që ti zhvendosim nxënësit në një shkollë pritëse, në turnin e parë nëse ka vend, apo në turnin e dytë nëse nuk ka vend në shkollën pritëse, që të bëhet me turnin e parë”.
Duke qenë se inspektimet në objekte vijojnë, Ministria e Arsimit nuk ka ende një shifër përfundimtare për shkollat e dëmtuara, ndërsa në zonat më të prekura, kavajë,Shijak, Durrës dhe Vorë, disa shkolla do të shemben për t’u rindërtuar nga e para.
Prokuroria kërkoi të martën që bashkia të mos prishë asnjë nga shkollat e dëmtuara pa u marrë më parë mostrat që nevojiten për kryerjen e hetimeve dhe nxjerrjen e përgjegjësive si nga firma ndërtuese ashtu edhe nga nëpunësit e pushtetit vendor.



