
Elcesio Ramos de Souza, artist dhe këngëtar me origjinë nga Brazili, ka më shumë se një dekadë që jeton dhe punon në Shqipëri, ku është bërë pjesë e skenës së muzikës live në Tiranë.
I ftuar në emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, Elcesio rrëfeu historinë e tij të veçantë, nga jeta në Brazil, shpërngulja në Itali dhe më pas vendimi për të ndërtuar një jetë të re në Shqipëri, së bashku me partneren shqiptare.
Partnerja e tij shqiptare është mësuese e kitarës klasike, dhe sipas Elcesios, kjo lidhje muzikore ka qenë një ndër shtysat që e ka mbajtur pranë Shqipërisë dhe skenës së saj artistike.
Kam jetuar për disa vite në Milano, ku njoha partneren time shqiptare. Pas dy vitesh bashkë, lindi vajza jonë dhe më pas ajo më propozoi të zhvendoseshim në Shqipëri. Në atë kohë, isha shumë i stresuar në Itali, punoja shumë në evente, koncerte, kompeticione muzikore, kështu qw vendosa të bëja një ndryshim rrënjësor.
Në Brazil nuk më mungonte fama apo paraja. Kam pasur qindra konkurrentë dhe një treg muzikor shumë të madh, por doja të ndryshoja mentalitetin tim, të provoja diçka ndryshe.
Në Itali u mora me modë, evente, muzikë e art, ndërsa më vonë punova edhe në Gjenevë dhe Gjermani.
Kur mbërriti në Shqipëri, artisti brazilian nuk e priste që do të krijonte një lidhje kaq të ngushtë me këtë vend.
Shqipëria më befasoi. Natyra, deti, njerëzit, ushqimi, më kujtojnë shumë Brazilin. Plazhet janë të ngjashme, edhe energjia e njerëzve është shumë e afërt me atë që kam ndjerë në vendin tim.
Edhe pse në Milano fitoja më shumë, këtu ndjehem më i qetë, më i lidhur me njerëzit dhe me jetën.
Jetoj prej 12 vitesh në Shqipëri, dhe jam bërë pjesë e koncerteve të ndryshme të muzikës live në Tiranë, ku performoj me pasion e përkushtim.



