
Tregu i karburanteve në Shqipëri e ka humbur prej kohësh konkurrencën dhe është kthyer në monopol. Kjo reflektohet në çmimet e larta, të cilat nuk bien edhe kur çmimi bie në bursat ndërkombëtare.
Eksperti i ekonomisë, Gjergj Buxhuku, thotë se këta janë tregues të një shteti të kapur nga karteli i naftës, një fenomen ky që shihet qartë te mosndërhyrja e institucioneve si Autoriteti i Konkurrencës.
Histori e gjendjes së konkurrencës joekzistente ka qenë gjithmonë. Bordi kishte një rol në përcaktimin e çmimit final, por ka një gjendje të përhershme të tregut të karburanteve, ku mungon totalisht elementi i tregut të lirë. Tregu i karburanteve është kartel me tendencë drejt monopolit dhe oligopolit. Justifikimi për rezervat nuk qëndron, sepse çmimi ngrihet menjëherë. Përdorimi i rezervave do të kishte vlerë në ngritje dhe ulje. Përfituesit kryesorë nga kjo gjendje, ku shtohet edhe fuqia në rritje e lëkur kundrejt dollarit dhe nxitet kontrabanda, përfitues janë operatorët. Arrijnë fitime astronomike, blejnë lirë dhe shesin shtrenjtë. Përfitues tjetër është qeveria që arkëton më shumë nga çmimet e larta.
Është situatë e tejzgjatur. Nuk e di nëse ka funksionuar ndonjëherë konkurrenca te ne. Këtu nuk ndihet era e shtetit. Autoriteti i Konkurrencës është i papranishëm. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e autoritetit, që nuk bën punën me të cilën është ngarkuar dhe paguhet nga taksat e shqiptarëve.
Nëse barazojmë nivelin e taksave me Kosovën, arrijmë në përfundimin se ne sot jemi 30-35 lekë më shtrenjtë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Para se të kërkojmë uljen e taksave duhet ta bëjmë tregun e karburanteve funksional dhe institucionet rregullatorë kur shikojnë spekulime duhet të ndërhyjnë. Duke hequr mënjanë efektin e barrës fiskale, nafta në Shqipëri është 30-35 lekë më e shtrenjtë.

Sipas Buxhukut, mbajtja stabël e çmimeve të larta u intereson atyre që merren me kontrabandën e naftës. Por paralelisht, nuk ka as vullnet politik për të vënë në lëvizje institucionet që kanë për detyrë të monitorojnë tregun.
Qytetari është i interesuar për një mall që mund ta sigurojë më lirë. Mbajtja e çmimit të lartë të naftës është në interes të kontrabandistëve. Këtu bëhet fjalë për shifra me dhjetëra dhe qindra milionë euro. Fitohet shumë me çmimin e lartë, cilësinë e ulët dhe kontrabandën. Nuk është çështje institucionesh, por fakt i padiskutueshëm është vullneti politik i munguar.
Nuk shoh opozitën të kërkojë llogari, nuk ka nisma. Shteti jo e jo, sepse është i kapur nga lobi i naftës. Ndryshe nuk shpjegohet pse kjo situatë kaq e rëndë nuk rregullohet.
Kemi regjistrat e deklaruar dhe regjistrat realë. Fluksi i kontrabandës masive është fluksi kryesor. Këtu është pika ku duhet kërkuar e vërteta. Të tjerat janë tymuese për të rregulluar situatën. I gjithë sektori i naftës në Shqipëri karakterizohet nga gjendje monopol. Rregullimi i sektorit të naftës duhet parë kryesisht në nivelin institucional dhe pastaj në aspektin fiskal.



