Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje sot qytetarëve të saj të largohen nga Ukraina, duke deklaruar se besojnë se Rusia po përgatitet të shënjestrojë infrastrukturën civile dhe qeveritare në ditët e ardhshme, afro 6 muaj që prej nisjes së luftës.
Paralajmërimi, pasoi një ndalim nga qeveria ukrainase për festimet në kryeqytet në prag të përvjetorit të pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik që shënohet të mërkurën, për shkak të frikës nga sulmet e mundshme.
Në fushën e betejës, forcat ruse kryen sulme artilerie dhe ajrore në rajonin Zaporizhia në Ukrainën juglindore, ku luftimet janë zhvilluar pranë termocentralit më të madh bërthamor në Evropë, tha ushtria ukrainase.
6 muaj pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt, ku mijëra persona kanë humbur jetën dhe janë shkatërruar pjesë të caktuara të qyteteve, konflikti vijon të jetë i hapur.
Forcat ruse kontrollojnë një pjesë të madhe të Jugut, duke përfshirë atë përgjatë bregut të Detit të Zi dhe pjesë të rajonit lindor të Donbasit. Perspektivat për paqe duken pothuajse inekzistente.



