Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të martën, i ka bërë thirrje kryeprokurorit Olsian Çela të nisë hetimet për maskat e skaduara, të shpërndara për personelin mjekësor nga Ministria e Shëndetësisë.
Përmes një deklarate për mediat, Basha tha se numri i qytetarëve të prekur nga koronavirusi sa vjen dhe po rritet, ndërsa urgjencë është kujdesi dhe jo paniku.
Ai nënvizoi faktin e përdorimit të maskave të shpërndara për mjekët, duke i cilësuar ato si të skaduara. Kryedemokrati, ftoi prokurorinë të nisë menjëherë hetimin për vënien në përdorim të maskave të skaduara.
Sipas tij, një fakt i tillë është krim.
“Ky akt është tregues se qeveria është jo vetëm e papërgatitur por dhe e papërgjegjshme. Me vetëdije është bërë shpërndarje e maskave të skaduara. Me maska të skaduara, pa mjete mbrojtëse, personeli mjekësor është i pambrojtur. Kështu rrezikohen ata, familjet e tyre dhe pacientët. Ata kështu kthehen në transmetues të virusit. Kjo është papërgjegjshmëri totale”, tha Basha.
Për të, spitalet tona nuk janë të përgatitura për të përballur situatën me të sëmurët nga koronavirusi. Ai, theksoi se janë vetëm 120 shtretër në dispozicion për personat që kanë nevojë për trajtim të specializuar.
Basha bëri thirrje që të merren masa të menjëhershme për të shtuar fondet dhe pajisur stafet mjekësore, së pari me mjetet e mbrojtjes personale. Ai u bëri thirrje strukturave mjekësore që të flasin dhe të kërkojnë atë që u nevojitet, me qëllim që nesër të mos jetë vonë.



