
“Po na morën tokën, mbetet që të ikim edhe ne.” Në Gjoricën e Poshtme të Dibrës, banorët thonë se panelet diellore po u marrin të vetmen mënyrë jetese.
“Kjo tokë është blerë me flori nga të parët tanë”, tregojnë ata për emisionin “Fol” në MCN TV, ndërsa sot rrezikon të rrethohet me tela e të mbetet jashtë përdorimit për fshatin.
Ne kemi vetëm këtë merak për bagëtitë. Ku t’i çojmë 600 dele e lopë?
Banorët e shohin projektin si fundin e blegtorisë: “Po u rrethua toka, s’ka më bujqësi, as blegtori. Do shkatërrohet gjithçka.”
Të ardhurat janë minimale dhe çdo humbje është fatale: “Unë marr 12 mijë lekë pension, 4 mijë i kam ilaçe. Po më hoqe edhe lopën, me çfarë do jetoj?”
Shumë prej tyre jetojnë vetëm me bagëtitë: “Jam çoban, jetoj me delet. Po u bllokua kullota, marrim fund.” Të tjerë paralajmërojnë boshatisjen e fshatit: “Djemtë kanë ikur, ne pleqtë kemi mbetur. Po na morën tokën, do ikim edhe ne.”
Ka edhe revoltë të hapur ndaj institucioneve: “Na prenë në besë. Na thanë për 1 hektar, tani duan të marrin gjithë kullotën.”
Ndërsa kontrasti me premtimet e qeverisë i bën më skeptikë: “Thonë kthehuni e investoni, por na mbyllin tokën.”
Në fund, mes zhgënjimit dhe zemërimit, mbetet një thirrje e fortë: “Zoti Rama, më lër në tokën time. Mua ma la babai, unë do ua lë djemve. Rama dhe panelet e oligarkëve po na përzënë nga Gjorica.
Sepse për këta banorë, toka nuk është thjesht pronë, është mbijetesë.



