
Pedagogët kanë dalë sërish sot në protestë, për të kërkuar rritje të pagave. Pedagogët janë mbledhur përballë Universitetit të Arteve, për të shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me pagat.
Ndërsa kanë paralajmëruar se nëse nuk do të ketë reagim ndaj kërkesave të tyre, atëherë ata do të bojkotojnë edhe procesin mësimor.
Ata pohojnë se Shqipëria ka pagat më të ulëta të pedagogëve në Evropë. Pedagogët thonë se ditën e hënë, 17 tetor, ata do të bojkotojnë mësimin.
Gjatë fjalës së tij, kreu i sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi deklaroi se kemi kërkuar një rritje page me 30% këtë vit, ndërsa theksoi se ajo që duam është që ta bëjmë Shqipërinë si Kosova.
Ka pasur keqkuptime mbi përmbajtjen e peticionit, ka pasur sugjerime që propozimi të përfundojë me një manifest. Ne e kemi thënë që nuk bëhet fjalë për rrogën e një pedagogu që të mbajë familjen e tij, por që të jetë dinjitoz. Kemi kërkuar rritje 30% këtë vit dhe 20 % vitin e ardhshëm. Duke u nisur nga kriza ekonomike ne e kemi zbritur kërkesën duke qenë solidarë me këtë situatë. Kërkesat tona kryeministri i quajti ultimatum, por i themi kryeministrit ta shikojë universitetin me një sy tjetër. Sot gjendja e profesoratit është në një tjetër gjendje dhe nuk është marrë parasysh asnjë kërkesë dhe nuk ka pasur rritje. Nëse e krahasojmë me Kosovën ka ardhur koha të mos themi që ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, por ta bëjmë si Kosova. I kërkojmë shpërblim dinjitoz për pedagogët, me lëmoshë nuk gënjehemi. Bëhet fjalë për qëndrim esencial ndaj arsimit të lartë publik. Që ti përgjigjet ekonomisë së vendit dhe kërkimit shkencor. Pa kërkim shkencor nuk ka zhvillim. Rritja 50% për dy vite, është e panegociueshme.



