
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Argjentina kanë arritur një marrëveshje me vlerë 50 miliardë dollarë dhe kohëzgjatje 3 vjet.
Sipas drejtoreshës së Përgjithshme të FMN-së, Christine Lagarde, marrëveshja është përpiluar nga qeveria argjentinase dhe ka për qëllim “forcimin e ekonomisë në të mirë të të gjithë argjentinasve”.
Lagarde është shprehur se FMN-ja do të ofrojë mbështetje financiare, që do të ndihmojë tregjet dhe do t’u bëjë të mundur autoriteteve argjentinase të përballojnë momentin e vështirë.
Argjentina ka pasur probleme ekonomike prej disa vitesh. Ajo kërkoi ndihmën e FMN-së më 8 maj të këtij viti, pasi monedha e saj arriti nivelin më të ulët të të gjitha kohërave.
Marrëveshja me FMN-në parashikon masa që kanë të bëjnë me shpenzimet publike dhe inflacionin.
Vendimi i presidentit argjentinas, Mauricio Macri, për të kërkuar ndihmë nga FMN-ja është kritikuar nga shumë argjentinas.
FMN fajësohet për kolapsin ekonomik të vitit 2001, kur i mohoi Argjentinës mbështetjen financiare.
Presidenti Macri është shprehur se një hua e re nga Fondi do të lejojë qeverinë e tij të forcojë programin e rritjes dhe zhvillimit, duke i dhënë mbështetje më të madhe për t'u përballur me skenarin e ri global dhe për të shmangur kriza si ato të mëparshmet. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



