Covaxin, vaksina e pare kundër Covid-19 e zhvilluar në Indi, është "shumë efikase" dhe nuk paraqet shqetësime, sipas një studimi të botuar në revistën mjekësore Lancet.
Covaxin mori miratimin urgjent nga Organizata Botërore e Shëndetësisë javën e kaluar dhe tashmë është shpërndarë për përdorim në 17 vende.
E njohur me kodin BBV152, Covaxin është një vaksinë e bazuar në virusin Covid-19 e zhvilluar nga Bharat Biotech në bashkëpunim me Këshillin Indian të Kërkimeve Mjekësore dhe Institutin Kombëtar të Virologjisë, shkruan Aljazeera.
OBSH e ka përshkruar atë si "jashtëzakonisht të përshtatshme për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme për shkak të kërkesave të lehta të ruajtjes".
Disa nga vaksinat e tjera të miratuara duhet të ruhen në temperatura shumë të ulëta, gjë që sjell probleme logjistike dhe kosto.
Covaxin "ishte shumë efikase kundër sëmundjes simptomatike Covid-19 të konfirmuar nga laboratori tek të rriturit", tha studimi i Lancet.
Vaksina gjithashtu "tolerohej pa asnjë shqetësim sigurie të ngritur në këtë analizë të përkohshme", shtoi ai.
Sipas OBSH-së, vaksina e zhvilluar në Indi ka një shkallë efikasiteti prej 78 përqind pas dy dozave gjatë një muaji.
Ajo i është bashkuar vaksinave kundër Covid të prodhuara nga Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca, Johnson&Johnson, Sinopharm dhe Sinovac në listën e miratuar nga OBSH.



