I deleguari i Partisë Socialiste për Bashkinë Kavajë dhe Rrogozhinë Arben Ahmetaj shpalli dje zyrtarisht fillimin e fushatës elektorale në Rrogozhinë. Mes qindra simpatizantëve të pranishëm, Ahmetaj tha se Partia Socialiste edhe një herë tjetër në historinë e shqiptarëve, ka fatin të bëjë histori dhe të nxjerrë Shqipërinë nga një periudhë e gjatë tranzicioni, konfuzioni politik, rrjet partish të vogla që marrin vota në këmbim të vendeve të punës apo premtojnë vende pune në këmbim të votës dhe ta kalojë në një vend që i përket vërtet Bashkimit Europian.
“Besoj që ju e keni ndjekur cdo ditë që ne kemi punuar për ta avancuar reformën në drejtësi, Vettingun e famshëm. Asnjë ditë nuk e kemi bërë më kot, asnjë ditë s’e kemi bërë thjesht për politikë. E kemi bërë se reforma në drejtësi realisht është e lidhur me mirëqenien e cdo familjeje shqipëtare, e cdo qytetari të këtyre trevave, e cdo njeriu që do një Shqipëri që i përket familjes së Bashkimit Europian, vlerave të Bashkimit Europian dhe cdo qytetari që do të jetojë me nje punë të ndershme dhe të përditshme. Reforma në drejtësi është drejtpërdrejtë e lidhur me mirëqenien ekonomike dhe ashtu sic kemi këmbëngulur për reformën në drejtësi, ashtu sic e detyruam Lulin të dalë nga cadra e të votojë Vettingun, ashtu, me atë këmbëngulje do të punojmë që të kemi sa më shumë vende pune dhe që të kemi një ekonomi më të mire” – u shpreh Ahmetaj në reflektim të zhvillimeve më të fundit politike në vend.



