
Biznesmeni Ilir Shtufi, një nga 20 personat për të cilët Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi masa arresti në kuadër të një hetimi të gjerë për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, është arrestuar në Selanik të Greqisë.
Sipas hetimeve të SPAK-ut, ai dyshohet për veprën penale të pastrimit të parave.
Biznesmeni ka ushtruar aktivitet kryesisht në fushën e ndërtimit dhe dyshohet se ka bashkëpunuar me një grup kriminal të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Hetuesit dyshojnë se Shtufi ka ndihmuar në pastrimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal i grupit, i cili, sipas dosjes hetimore, drejtohej nga vëllezërit Koçeku nga Kamza.
Operacioni është pjesë e një hetimi më të gjerë të SPAK-ut ndaj një rrjeti të dyshuar kriminal me aktivitet në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe riciklimin e fitimeve të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.



