Tenderi  – Oligopoli i sigurimeve: Si ndahen miliardat e shqiptarëve mes të njëjtëve emra (VIDEO)

Tenderi – Oligopoli i sigurimeve: Si ndahen miliardat e shqiptarëve mes të njëjtëve emra (VIDEO)

Duket se trusti i siguracioneve ia ka dale të verë në lëvizje kryeministrin Rama, duke e detyruar me ligj këdo që ka një shtëpi që të paguaj sistematikisht një kuotë parash tek ky grup. Çfarë do të sjellë kjo? 

Si fillim rritjen eksponenciale të pasurisë së tyre. Dhe, kur themi “tyre”, do të thotë të pronarëve.

Nga analiza e të gjitha procedurave të prokurimit të zhvilluara në vitin 2025, arrijmë në konkluzionin se 12 janë shoqëritë përfituese të këtyre tenderave në të gjithë Shqipërinë, disa nga të cilat kanë të njëjtët pronarë/zotërues dhe përkatësisht 7 përfitues, kanë realizuar të ardhura goxha të lakmueshme

Ja dhe shpërndarja e skenës financiare

            1.         Avni Ponari administrator në kompaninë SIGAL Insurance Group sh.a ka përfituar 4.93 miliardë lekë.

            2.         Kadri Morinaj, Xhevdet Morina, Ylli Merkaj, Gazmend Neza aksioner të kompanisë EUROSIG SHA kanë përfituar 3.1 miliardë lekë.

Grup i qëndrueshëm, që në çdo tender duket sikur hyn me abonim vjetor.

            3.         Gentian Sula administrator në kompaninë INTERSIG VIENNA INSURANC GROUP dhe Vienna Insurance Group AG kanë përfituar 1.85 miliardë lekë.

Një bashkëpunim ku emrat e huaj i japin listës vetëm aromën e “ndërkombëtarizimit”.

            4.         Shefqet Kastrati administrator i Kastrati Group ka përfituar 1 miliardë lekë.

            5.          Vienna Insurance Group AG Ëiener Versicherung Gruppe, në pronësi të Robert Lasshofer, Herbert Allram, Peter Thirring dhe Franz Kosyna dhe Qemal Disha, Jonadri Prodani, Evis Prodani, Lela Prodani, Shefikat Ngjela, Idajet Kuka dhe Rasim Disha  pronarë të SIGMA VIENNA INSURANCE GROUP kanë përfituar 646.8 milionë lekë.

Një strukturë që i ngjan më shumë listës së pjesëmarrësve në një dasmë të madhe.

            6.         Edlir Ruka dhe Piro Angjeli aksioner në kompaninë Ansig kanë përfituar 106 milionë lekë.

            7.         Dritan Çelaj administrator në kompaninë Atlantik ka përfituar 93.3 milionë lekë.

Tregu i siguracioneve për tenderat publik vijon të funksionojë si një semë rrethore, ku konkurrenca mbetet koncept teorik, fituesit lëvizin brenda të njëjtit grup, dhe rezultatet financiare mblidhen tek të njëjtit shtatë emra. Një karusel që rrotullohet pa asnjë ndalesë, thjeshtë me ngjitje të reja në listë, por me pasagjer të pandryshueshëm. 7 “të zotët” e tregut marrin pjesën më të madhe të tenderave të sigurimit; shumica e procedurave janë pa garë; praktika e bashkimeve dhe karuselit vazhdon; ligjet për konkurrencë dhe prokurim publik shpesh mbeten letra të bukura në rafte.

Ju kujtohet TEC – i lundrues në Vlorë? Duket sikur një mallkim e ndjek këtë aset të përfolur për gjithçka në mediat shqiptare. Që nga tenderi për 21 mijë ton naftë për ta vënë në punë e deri tek ndotja e mjedisit me tym e gazra.

Sot kemi një tjetër tender që lidhet me këtë objekt. 

“Tender” është vetëm termi për dhënien e parave nga një dorë në tjetrën, sepse, e zhvilluar pa garë, kjo procedurë nuk ka asnjë kuptim si tender.

KESH sh.a., një nga institucionet strategjike të vendit, ka zhvilluar së fundmi tre procedura të rëndësishme prokurimi. 

1. Tenderi me objekt "Përfitimi i shërbimit të sigurimit të Asetit - Tec Lundrues, Vlorë", me fond limit 1.74 miliardë lekë dhe vlerë kontratë 1.73 miliardë lekë.                                            Procedura u mbyll pa asnjë surprizë: një kompani e vetme në garë dhe një kontratë sa 100% e fondit limit. Fitues Intersig Vienna Insurance Group sh.a., pa konkurrencë, pa ulje çmimi, pa alternativë. Një procedurë tipike ku fondi limit duket më shumë si faturë e dakordësuar paraprakisht.

2. .     Tenderi me objekt "Sigurim i aseteve të KESH sha", me fond limit 1.69 miliardë lekë dhe vlerë kontratë 1.68 miliardë lekë, sa 99% e vlerës së fondit limit.                                                                       Në këtë tender, “gara” konsistoi në një bashkim operatorësh të vetëm: Sigal Uniqa Group Austria dhe Sigma Vienna Insurance Group. Rezultati i pritshëm: ofertë 99% e fondit limit. Sërish zero konkurrencë, sërish një grup i zakonshëm kompanish që ndajnë tregun mes tyre si zonë të ndarë me vijë shënjimi.

3. .     Tenderi me objekt "Sigurimi i shëndetit dhe sigurimi nga aksidentet personale të punonjësve të KESH sh.a", me fond limit 514 milionë lekë dhe vlerë kontratë 506 milionë lekë.  Kjo procedurë e tretë, me një vlerë të lartë, përfundoi në të njëjtin skenar: një bashkim operatorësh i përbërë nga Sigma, Sigal, Albsig dhe Sicred , të vetmit pjesëmarrës, me ofertë 98% të fondit limit. Një tjetër tender ku konkurrenca është thjesht e shkruar në ligj, por jo në praktikë. 

Pra, duket më shumë si një marrëdhënie ortakërie mes dy kompanive, sesa si tender. 

E themi “ortakëri”, pasi për tenderat, Ligji nr. 9121, datë 28. 07. 2003, "Për mbrojtjen e konkurrencës", thotë  se "Ndalohen të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që: a) caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi" si dhe Ligjin nr. 9643, dt. 20.11.2006, "Për prokurimin publik", i cili ka për objekt përcaktimin e rregullave që zbatohen për prokurimet e mallrave, të punëve dhe të shërbimeve nga autoritetet kontraktore dhe fokusohet në rregullimin e procedurave të prokurimit publik në mënyrë të atillë që këto procedura të jenë sa më eficente dhe efikase; fondet publike të përdoren sa më mirë që të jetë e mundur; pjesëmarrja e operatorëve ekonomikë të jetë sa më e madhe dhe të ketë konkurrencë midis tyre, si dhe trajtimi i tyre të jetë i barabartë dhe jodiskriminues, etj (neni 1 dhe 2 i ligjit). Në praktikë, megjithatë, sektorin e sigurimeve e ka kapluar një situate e ngulur prej vitesh, që nuk lëviz as majtas as djathtas: të njëjtat kompani, të njëjtat mënyra veprimi, të njëjtat rezultate.

Tre tenderat e fundit të KESH sh.a., me vlerë 3.9 miliardë lekë, konfirmojnë edhe një herë “traditën” e këtij institucioni: gara zhvillohet, por konkurrentët harrojnë të paraqiten. Fituesi? Zakonisht operatori i vetëm në skenë. Kjo nuk është rastësi, por vazhdimësia e një skeme që përsëritet prej vitesh me përpikëri laboratorike.

“Xhadat” kanë analizuar tenderat e sigurimeve të KESH-it nga viti 2018 e deri më sot ku paraqet  një tablo thuajse e përkryer e asaj që ligji e quan “marrëveshje të ndaluara”, ndërsa realiteti e njeh si oligopol i butë, por i garantuar. Kompanitë kryesore të sigurimeve futen në tender si bashkim operatorësh, hyjnë vetëm, fitojnë vetëm dhe më pas ndajnë vlerat si një grup që e ka folenë prej kohësh.

Ja se si paraqitet panorama e tenderave nga viti 2018 deri në vitin2025

Gjatë kësaj periudhe, KESH sh.a. ka zhvilluar 17 tendera sigurimi me objekt shërbim sigurimi të jetës, shëndetit dhe aseteve, me fond limit total 16.7 miliardë lekë dhe vlerë totale kontrate 16.6 miliardë lekë ose sa 99% e vlerës së fondit limit. Nga të cilat, 15 procedura prokurimi ose 88.2% të procedurave total me një operator në garë pra pa garë, ku vlera pa garë është 12.5 miliardë lekë ose 75.3% e vlerës total të prokuruar, dhe ku edhe pse pa garë, janë përfituar nga bashkime operatorësh që kanë funksionuar në atë që ligjet e sipërcituara e njohin si "marrëveshje e ndaluar" 

Dhe megjithëse nuk kanë kundërshtar, operatorët paraqiten në formë bashkimi ,sikur konkurrenca të ishte e ashpër dhe e rrezikshme. Një koreografi e mirënjohur në tenderat ku gara është më shumë dekor sesa proces.

Pra, institucione paralajmëruese ka pasur, konkluzione ka pasur, rekomandime ka pasur. Ajo që mungon është ndryshimi. Dhe ndërkohë që gara në letër ekziston, realiteti vazhdon të jetë një treg i ngurtësuar, ku humbësi i vetëm është konkurrenca  dhe fituesit janë gjithmonë të njëjtët.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy