Dy vajza braziliane të cilat kishin marrë një apartament me qira në lagjen nr. 2 në Durrës dhe e shfrytëzonin për prostitucion dhe për përdorim të lëndëve narkotike, janë vënë në prangat e policisë.
Në kuadër të operacionit u bë arrestimi i shtetaseve B. B., 24 vjeçe dhe H. D., 21 vjeçe, të dyja lindur dhe banuese në Brazil. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. M., 22 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjatë ndërhyrjes së forcave policore, këto shtetase kanë refuzuar të hapin derën e apartamentit, e cila më pas u hap me ndihmën e punonjësve të zjarrfikëses.
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se dy brazilianet kishin marrë me qira, në lagjen nr. 2 në Durrës, një apartament dhe e shfrytëzonin për ushtrimin të prostitucionit dhe konsumimit të lëndëve narkotike.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta të shtetaseve të huaja, një shumë parash në euro dhe lekë, tre aparate celularë, një bllok shënimesh, disa karta SIM, si dhe dy sasi të vogla lënde narkotike të dyshuara kanabis dhe çokollatë me përmbajtje kanabisi.



