
Në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë e Afrikës së Jugut në orën 06.30 të mëngjesit të së premtes, konfirmohet se Oscar Pistorius, ka dalë nga burgu.
Ai është zyrtarisht në shërbim prove nga sot dhe është liruar nga burgu Atteridgeville, pak kilometra larg kryeqytetit Pretoria, pasi kreu rreth 9 vjet burg për vrasjen e të dashurës së tij, Reeva Steenkamp.
Ish-kampioni paralimpik ndodhet tashmë në vilën luksoze të xhaxhait të tij Arnold Pistorius në Waterkloof, një lagje e pasur e Pretorias.
Pistorius u dënua me 13 vjet e pesë muaj për vrasje pasi qëlloi të dashurën me armë zjarri disa herë nga dera e banjës së shtëpisë mëngjesin e 14 shkurtit 2013, duke deklaruar më vonë se e kishte ngatërruar me hajdut.
Steenkamp, e cila ishte 29 vjeçe kur vdiq, ishte diplomuar në drejtësi dhe ishte modele e suksesshme, e cila gjithashtu punoi si prezantuese televizive dhe u shfaq në një reality show të quajtur Tropika Island of Treasure.
Ajo kishte planifikuar të hapte një firmë ligjore për të ndihmuar gratë e dhunuara pas diplomimit.



