Avokati Naim Hasani duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV nga Londra tha se synon votën e qytetarëve të qarkut Shkodër, por edhe të çdo shqiptari të ndershëm që kërkon të ndahet nga politika 34-vjeçare.
Kandidati i Koalicionit Euroatlantik theksoi se janë 18 mijë shqiptarë të regjistruar për të votuar në Britani dhe pret rezultate të kënaqshme.
I pyetur mbi marrëveshjen për dërgimin në Shqipëri të personave të dënuar në Britani, Hasani: “Numri është shumë i ulët, pasi skema është vullnetare. Ritmi i marrëveshjes është në fazë jo të kënaqshme”.
“Sa i takon kandidimit tim, e kam gjetur veten në Koalicinin Euroatlantik, në mbështetje të z.Lulzim Bashës, si një nga alternativat më të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët, në kushtet që ka 34 vite ku Shqipëria udhëhiqet nga politikanë që kanë bërë çdo gjë që vendi mos ecë përpara. Sidomos në 12 vitet e fundit kemi një qeverisje që i ka larguar masivisht shqiptarët, dhe është koha që t’i japim Shqipërisë një alternativë, dhe të ndahemi nga politika e vjetër, nga politika e xhaketave të vjetra, e atyre që s’i kanë sjellë asnjë përfitim Shqipërisë në 34 vite.
Jam krenar që përfaqësoj zonën time nga vij, Malësinë e Madhe, Shkodrën, Pukën, Fushë-Arrëzin, Vaun e Dejës, dhe do përpiqem të jem përfaqësues i tyre. Unë synoj votat e çdo shqiptari të ndershëm, që jep një votë me zemër për ndryshimin, dhe për përfaqësimin e diasporës. Në Britani janë regjistruar 18 mijë qytetarë shqiptarë për të vetuar dhe besoj dhe shpresoj që një pjesë e tyre të dinë për kë të votojnë, dhe sidomos ftoj ata nga qarku i Shkodrës që të votojnë për figurën time, për punën tim, për ndihmën që u kam dhënë tash e 20 vite, dhe pres rezultate të kënaqshme në këto votime”.
I pyetur mbi faqet e punësimit në shtëpitë e barit, të hapura në TikTok nga shqiptarët në Britaninë e Madhe, Hasani tha:
“Kriminelët dhe trafikantët s’lënë asnjë mënyrë të paligjshme pa përdorur. I kam parë reklamat që janë publikuar nga mediat britanike. Është problem i madh lufta ndaj kriminalitetit të orientuar nga shqiptarët sa i përket shtëpive të barit, por policia britanike ka përballuar kriminelë shumë më të rrezikshëm se shqiptarët. Çdo kriminel që synon një perandori krimi në Britani, pasojat do jenë shkatërrimtare për ta. Fatkeqësisht në Britani ka 1276 shqiptarë që vuajnë dënimin. Nga 10 mijë të huaj, 1276 persona janë një numër i madh, ku pjesë më e madhe janë për kultivimin dhe shitjen e kanabisit. Dua të siguroj që pjesa dërrmuese janë qytetarë të ndershëm, që zbatojnë ligjet, rregullat”.



