Organizata prestigjoze "Europa Nostra", me anë të një deklarate ka dalë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë.
Në një postim në Twitter, organizata e ka renditur Teatrin Kombëtar në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara që duhen mbrojtur në Europë, ndërsa shkruan se godina duhet mbrojtur me ligj kombëtar nga shoqëria.
"Ne jemi për trashëgimitë kulturore të Europës. Kjo është arsyeja pse ne kundërshtojmë prishjen e paligjshme të propozuar të Teatrit Kombëtar në Tiranë, një nga 7 ndërtesat më të rrezikuara të Evropës. Teatri mbrohet nga ligji kombëtar dhe mbrohet fuqimisht nga shoqëria civile dhe ekspertët. Sundimi i ligjit të bazohet mbi vlerat e BE-së”-shkruhet në faqen zyrtare në twitter të kësaj organizate.
Në këtë deklaratë, "Europa Nostra" u ka tërhequr vëmendje edhe disa nga diplomatëve më të lartë në BE, si David Sassoli, President i Parlamentit Europian, Maryia Gabriell, Komisionerja europiane për Kulturën, Josep Borell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Luigi Soreca, ambasador i BE në Shqipëri.
Europa Nostra ka vënë në dijeni për këtë qëndrim edhe Kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, të cilët po ndërmarrin veprime për shembjen e Teatrit, si dhe Aleancën për Teatrin, që është në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.



