Emigracioni përmes varkave të vogla vijon të jetë ndër problemet më të mprehta të Evropës. Së fundmi në Mbretërinë e Bashkuar u vendos një rekord i ri mbërritjesh pasi vetëm në një ditë arritën përmes 15 varkave, 900 emigrantë sipas Home Office.
Kalimet e fundit përmes kanalit anglez e kanë çuar numrin e mbërritjeve vetëm këtë qershor në 1,865 persona përballë një totali prej 12,313 emigrantëve që kanë mbërritur këtë vit.

Sipas statistikave 2024 rezulton viti me numrin më të lartë të emigrantëve të paligjshëm krahasuar me vitet paraardhëse. Ndërkohë përfaqësues të Ministrisë së Brendshme bënë të ditur se po punojnë intensivisht për frenimin e këtij fenomeni.
"Ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë francezë për të parandaluar kalimet dhe për të shpëtuar jetë.
Në Mbretërinë e Bashkuar vetëm këto gjashtë vitet e fundit kanë mbërritur përmes varkave 126,658 persona. Përveç Mbretërisë së Bashkuar me një numër të lartë emigrantësh janë përballur edhe shumë shtete të tjera evropiane.
Si pasojë e një fluksi të tillë të shumta kanë qenë edhe rastet kur këto udhëtime kanë rezultuar fatale për qindra persona. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin vetëm gjatë vitit të kaluar në Mesdhe humbën jetën ose u zhdukën 3150 njerëz duke e bërë këtë një prej rrugëve më vdekjeprurëse në botë.



