
Është hapur sot në Grabom të Malësisë së Madhe një pikë e përbashkët kufitare me Malin e Zi, me qëllim të lehtësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dy vendeve.
Kjo pikë kufitare lidh njësinë administrative të Kelmendit të Bashkisë së Malësisë së Madhe me komunën Tuz, të Malit të Zi.
“Perdja e hekurt mes Shqipërisë dhe Malit të Zi ka rënë”.
Kështu e ka vlerësuar inaugurimin e pikës së re kufitare midis dy vendeve në Grabom, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç.
Ai e vuri theksin te bashkëpunimi, ndërsa tha se vendet nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin, por se bashkë mund të bëjnë shumë.
“Kam kënaqësi të veçantë të marrë pjesë në këtë eveniment solemn, në hapjen e pikës së dytë kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Më kujtohet shumë mirë kur kemi pasur një kufi të hekurt, një perde të hekurt mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Pikërisht këto kazerma dhe bunkerë që kemi pas këtu, të bënim të ndjeheshe sikur po jetonim në dy planetë të ndarë, pa komunikim. Falë përpjekjeve tona të përbashkëta në drejtim të BE, tashmë kemi këto pika kufitare moderne që dëshmojnë mbi besimin mes dy vendeve tona dhe i lejojnë qytetarëve të kalojnë lirshëm, pa pritur dhe pa humbur kohë në këto pika kufitare. Ky eveniment sot dëshmon për marrëdhëniet mes dy vendeve tanë, premtimi që bëhet duhet të mbahet. Besa e dhënë në Shqipëri dhe fjala në Mal të Zi, nuk ka kërkuar vulë, por gjithmonë është respektuar. Rruga jonë e vetme është ajo drejt BE. Kjo është edhe konfirmim i forcimit të lidhjeve tona, të realizimit të potencialeve të këtyre vendeve. Pa njëri-tjetrin nuk mundemi dhe bashkë mund të bëjmë shumë”, tha ai.
Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi këtë si një mundësi hapjeje në kuadër të nismës “Open Balkan”. Nismë në të cilën Mali i Zi, ende nuk bën pjesë.
“Ditë e mirë sepse bie një tjetër mur mes nesh dhe Malit të Zi. Lajm i mirë për ata që e përdorin këtë rrugë dhe që nga sot ka një pikë kalimi dinjitoze dhe një mundësi për të kaluar përmes kësaj pike duke u ndjerë qytetarë të denjë të të dy vendeve”, do të nënvizonte Rama në fjalën e tij.
Një angazhim i radhës, do të jetë edhe ai i ndërtimit të një ure turistike midis Velipojës dhe Malit të Zi. Por, sërish, sipas kryeministrit Rama, kufijtë nuk duhet të ekzistojnë në këtë strukturë. Pra, me ndërtimin e urës, duhet të shemben burokracitë.
“ Qëllimi ynë që njerëzit tanë të ndjehen dhe të jenë të lirë si në BE. Kjo është ajo që ndodh brenda Bashkimit Europian. Ku ka dy pika bashkimit mes dyvendeve nuk ka barriera, nuk ka pika kontrolli dokumentesh. Edhe në këtë synojmë këtu. Që të realizojmë katër liritë e BE-së, lëvizje e lirë e mallrave, njerëzve, kapitaleve dhe shërbimeve. Ky është dhe qëllimi i nismës që ne kemi ndërmarrë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, që synon pikërisht që njerëzit të ndjehen të lirë, të lëvizin të lirë", ka thënë Rama.”.
Në përmbyllje, ai nuk ngurroi të falënderonte palën malazeze për investimin e bërë në pjesën e tyre. Ndërsa, ftesa për t’u angazhuar në “Open Balkan”, mbeti e hapur.



