Presidenti Ilir Meta nisi paraditen e sotme takimet me përfaqësuesit e partive politike në Shqipëri për të bashkërenduar një datë të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Meta i nisi takimet me kryetarin e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi. Në dalje nga presidenca ky tha për gazetarët se i kishte shprehur Metës shqetësim për faktin se sipas tij qeveria aktuale ka fshehur axhendën e diskutimeve me Greqinë ku nuk flitet më për çështjen Çame, ligjin e luftës, varrezat e të rënëve grekë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, apo dhe për çështjen e kufirit detar.
Idrizi la të nënkuptohet se kishte propozuar datën 18 prill për zgjedhjet e ardhshme.
Pas tij Meta zhvilloi takim me përfaqësuesin e Partisë Republikane (PR) Arjan Madhi, i cili tha për gazetarët se kishte propozuar datën 18 prill.
Më tej me Presidentin zhvilluan takim kryetari i Partisë Demokristiane (PDK) Nard Ndoka, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) Vangjel Dule, përfaqësuesin nga Partia Agrare Ambientaliste (PAA) Arben Tafaj, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK) Dashamir Shehi.
Në orën 11:00 në Presidencë u paraqit kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla. Rama nuk e komentoi takimin me Presidentin, dhe nuk dha detaje për qëndrimin e socialistëve rreth datës zgjedhore, megjithatë nga gazetarët u mësua se PS është e gatshme për çdo datë përveç 2 majit, që i takon të jetë festë e Pashkëve.
Në orën 12:00 në Presidencë u paraqit kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bashkë me anëtarin e Kryesisë Oerd Bylykbashin.
Në dalje pas takimit, Basha nuk përmendi datë konkrete, por tha se qytetarët kanë sa më shpejt nevojë për zgjedhje dhe zgjidhje. Ai theksoi se për opozitën është e rëndësishme që procesi të jetë i lirë dhe i ndershëm. Basha citoi më tej fjalët e Shën Terezës duke thënë se "e djeshmja ka shkuar, e nesërmja nuk ka ardhur akoma" ndaj "të fillojmë e të punojmë menjëherë për të sotmen dhe të nesërmen duke filluar sot për të punuar për ndryshimin".
Pas Bashës, në orën 12:35 me Presidentin Meta zhvilloi takim kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi dhe Sekretari Endrit Brahimllari.
Në dalje nga takimi, Kryemadhi tha se për LSI-në zgjedhjet duhet të ishin bërë që para dy vitesh. Ajo theksoi se nuk është çështje datash, por me rëndësi që të zbatohen standardet evropiane të zgjedhjeve në mënyrë që të garantohet ecuria drejt integrimit.
Edhe ajo nuk përmendi datë specifike, por u shpreh se “një datë e përcaktuar do të krijonte mundësinë e zhvillimit dhe lëvizjes së gjërave”.
Presidenti Meta propozoi në mesjavë nisjen e takimeve për të diskutuar datën e zgjedhjeve të ardhshme. Ai ftoi krerët e të gjitha partive për të vendosur rreth datës, ftesë që u pranua edhe nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ai i PS-së Rama.
Në bazë të ndryshimeve të fundit të Kodit Zgjedhor, periudha e parë zgjedhore përfshin afatin kohor 15 prill – 15 maj, ndërsa tre janë alternativat në diskutim, datat:
18 prill
25 prill
9 maj
Zgjedhjet e fundit parlamentare u zhvilluan më 25 qershor 2017 ku Partia Socialiste, ndryshe nga zgjedhjet paraardhëse, garoi pa një koalicion të madh me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe mori 48.34% të votave.



