
Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli ka bërë thirrje për lejimin e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, zgjerimi i BE-së do të ishte pozitiv për paqen dhe prosperitetin e unionit.
“Zgjerimi mund të sjellë përfitime të mëdha si në rajon dhe në Evropë në tërësi, duke ndihmuar në sigurimin e një kontinenti të qëndrueshëm, të prosperuar dhe paqësor”, tha Sassoli, sipas raportimeve të medias gjermane Funke Mediengruppe.
Kjo varet nga përmbushja e kritereve dhe koha që do i duhet vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i përmbushur.
“Reformat duhet të përfundojnë ende në secilën prej këtyre vendeve”, tha Sassoli.
Sipas Sassolit, Bashkimi Evropian gjithashtu duhet të mbajë premtimet e tij dhe të njohë përparimin e bërë.
BE-ja tashmë po kryen bisedime pranimi me Malin e Zi dhe Serbinë, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë kandidatë zyrtarë. Maqedonia e Veriut muajin e kaluar mori mbështetjen e Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë për të filluar bisedimet me BE-në.
Bosnje-Hercegovina dhe Kosova deri më tani janë konsideruar si kandidatë të mundshëm për negociata.
Procesi i zgjerimit të BE-së është përballur me sfida të mëdha, duke përfshirë disa ndarje etnike të rrënjosura në vendet e Ballkanit Perëndimor.



