Kolonelë, komandantë, majorë dhe rekrutë folën në “Mcn Informacion” mbi karrierën në Forcat e Armatosura.
Fadil Ciroku, kolonel, komandant në QPR, theksoi se këtë vit është rritur me 50 për qind numri i kandidatëve në raport me vitet paraardhëse.
Denisa Pëllumbaj majore vuri në dukje se ka ndryshuar edhe perceptimi për FA-në, ku femrat përfaqësohen denjësisht në të gjitha funksionet.
“Ne zhvillojmë fushata të ndryshme marketingu për rekrutim në FA. Nëse do merrnim statistikat, ju deklaroj se viti 2024 është viti që ka mbi 50 për qind të numrit të kandidatëve, rritje të numrit të kërkesave për t’u bërë pjesa e FA. Kemi kërkesa gjithmonë për ushtarë profesionist. Jemi në fushatën e tretë. Edhe për ushtarë profesionistë janë të gjitha kategoritë, me shkollë 9-vjeçare, të mesme, dhe të lartë. Kemi nga i gjithë territori i Shqipërisë kandidatë për ushtarë profesionistë. Pati ndryshime ligjore, benefitet u rritën, pagesa u rrit, ndryshoi ndërgjegjia e këtyre njerëzve. Duke ardhur në FA ai e ka punën të garantuar, është i mirëpaguar, i respektuar, i shërben vetes dhe atdhehut”.
Denisa Pëllumbaj majore, u shpreh:
“Janë tre burime informacioni për të gjithë të rinjtë e të rejat, së pari mund të shohin online në rrjetet sociale, ose në momentin kur hapim njoftime për t’u bërë pjesë e FA brenda vendit tonë, por edhe me bursa jashtë vendit. Varianti i dytë është përmes seksioneve të rekrutimit, ku ka specialistë që japin informacione për të rinjtë dhe të rejat. Mënyra e tretë është përmes uebsajtit zyrtar në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe përmes broshurave, ku mjafton të skanosh QR kodin. Ka ndryshuar perceptimi për FA vitet e fundit, janë 13 për qind oficere femra. Femrat e shohin ndryshe përfaqësimin e tyre në FA, s'është më perceptimi që ushtria është vetëm arma dhe lufta”.
Klevisa Tabaku, rekrute, deklaroi:
“Dëshira për të kontribuar në vendin tim u bë motivi kryesor për t’u bërë pjesë e FA-së. Mora pjesën në “Ditën e Hapur” gjë që më shtyhu të kërkoj më shumë informacion, dhe përfundova duke kontaktuar qendrën e rekrutimit. Kalimi nga jeta civile dhe ushtarake ishte një sfidë për ne, por me përkushtim dhe disiplinë s’është e vështirë”.
Pedagogu Adriatik Llaha tha:
“Një maturant, një nxënës i shkollës së mesme, që dëshiron të bëhet oficerë, duhet të kalojë përmes Akademisë, e cila është pjesë e institucioneve të arsimit të lartë në vend. Maturantët aplikojnë në një nga degët e studimit, dhe në portalin e-Albania vijojnë procedurat e tjera. Akademia e FA, ka dy cikle studimi, bachelor dhe master”.



