Ndër dokumentet sekrete të inteligjencës amerikane të publikuara në internet pas rrjedhjes së dokumenteve dhe të raportuara nga New York Times, ekziston një që përshkruan 4 skenarë që mund të ndikojnë në rrjedhën e konfliktit në Ukrainë.
Dokumenti thotë se lufta ka të ngjarë të zgjatet. Por ai përshkruan se si çdo skenar i “kartës së egër” ose skenari më i keq mund të rezultojë në një përshkallëzim të situatës në Ukrainë, ose të mos ketë ndikim material në përparimin e luftës.
Dokumenti i skenarit është një produkt mjaft tipik i krijuar nga agjencitë e inteligjencës. Ai është krijuar për të ndihmuar oficerët ushtarakë, politikanët ose ligjvënësit të mendojnë për rezultatet e mundshme të ngjarjeve të mëdha dhe të vlerësojnë opsionet e tyre.
Dokumenti etiketohet “RELIDO”, i cili tregon se vendimi për të publikuar informacionin, për partnerët e huaj, i takon disa zyrtarëve të lartë. Ai mban datën 24 shkurt dhe emërtohet “Një vit”, duke treguar se analiza është bërë një vit pas fillimit të ndërhyrjes ushtarake.
Këta 4 skenarë cituar nga Corriere, përfshijnë vdekjen e presidentëve Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, largimin e udhëheqjes së Forcave të Armatosura Ruse dhe një sulm ukrainas në Kremlin.
1- Një nga katër skenarët hipotetikë zbulon se çfarë mund të ndodhë nëse Ukraina godet Kremlinin. Janë identifikuar një gamë e gjerë e implikimeve të mundshme. Sulmi mund të çojë në një përshkallëzim, ku Vladimir Putini përgjigjet duke nisur një mobilizim ushtarak në shkallë të gjerë dhe duke konsideruar përdorimin e armëve taktike bërthamore. Ose, frika e opinionit botëror mund ta shtyjë të negociojë një zgjidhje për luftën. Administrata Biden është veçanërisht e shqetësuar për një sulm të mundshëm ndaj Moskës nga Ukraina, pikërisht sepse mund të provokojë një përshkallëzim dramatik nga Rusia. Rreziqet e një sulmi të tillë nga Ukraina janë një arsye pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hezituar të furnizojnë Kievin me raketa me rreze të gjatë.
2- Nëse Putini shkarkon këshilltarët e tij të lartë ushtarakë dhe përshkallëzon luftën, dokumenti sugjeron se ai mund të autorizojë përdorimin e armëve taktike bërthamore.
Kjo situatë përsëri sipas dokumentit, mund të ndodhte vetëm në dy kushte. Kjo do të thotë, nëse oligarkët vënë në dyshim procesin e vendimmarrjes së Putinit dhe personelin ushtarak rus dhe nuk arrijnë të adresojnë mungesën e municioneve. Një skenar që për këtë arsye duket i pamundur për momentin.
3-Skenari i tretë, zhdukja e Zelenskyt. Nëse lideri i Kievit do të vdiste, në rastin më të keq, liderët europianë mund të kufizonin dërgesat e armëve. Megjithatë, dokumenti tregon se si një “udhëheqës ukrainas i profilit të lartë” mund të mbajë mbështetjen e brendshme dhe të jashtme... pra një pasardhës. Komplotet për të vrarë Presidentin ukrainas janë folur disa herë. Sipas dokumenteve të tjera të zbuluara në të kaluarën, Wagner kishte për detyrë të vriste Presidentin ukrainas që në ditët e para të ndërhyrjes ushtarake.
4- Për vdekjen e Putinit, megjithatë, as New York Times dhe as Associated Press nuk japin ndonjë detaj. Por sipas dokumenteve të tjera, burokracia e Kremlinit dhe udhëheqja ushtarake ruse punuan për të sabotuar luftën në Ukrainë, ndërsa Putini u shpërqendrua nga një raund kimioterapie për të trajtuar kancerin e tij. Thashethemet për gjendjen shëndetësore të liderit të Moskës kanë ndjekur njëri-tjetrin prej muajsh, me konfirmime dhe mohime për problemet e tij të supozuara.
“Më 17 shkurt, mësuam për një komplot të supozuar për të prishur të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” në një përpjekje për të sabotuar Presidentin Putin. Sipas një burimi me akses tek zyrtarët e Kremlinit, Rusia planifikoi të zhvendoste burimet nga Taganrog në Mariupol për të përqendruar vëmendjen në frontin jugor. Plani për ofensivën dyshohej se ishte një strategji e menduar nga Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Nikolai Patrushev dhe shefi i shtabit Valery Gerasimov, gjoja për të sabotuar Putinin. Sipas burimit, gjenerali kundërshtoi ofensivën. Ai e informoi Putinin se aftësitë e ushtrisë ukrainase ishin superiore dhe Rusia do të pësonte viktima të rënda nëse do të vazhdonte me sulmin. Më 22 shkurt, burimi raportoi se Gerasimov planifikoi të vazhdonte përpjekjet për të sabotuar ofensivën, duke premtuar se do të prishte të ashtuquajturin operacion special ushtarak deri më 5 mars, kur Putini do të fillonte një cikël kimioterapie dhe për këtë arsye nuk do të ishte në gjendje të ndikonte në luftë.



