
Kryeministri grek, Alexis Tsipras, ka marrë votëbesimin e Parlamentit. Qeveria e qendrës së majtë pak ditë më parë humbi partnerin në koalicion, pas dorëheqjes së liderit të saj, ministrit të Mbrojtjes, Panos Kammenos.
Ky i fundit u dorëhoq pasi kundërshonte marrëveshjen e arritur me Maqedoninë për çështjen e emrit.
Tsipras arriti të merrte besimin e Parlamentit, me një rezultat të ngushtë. Me 151 vota pro nga 300 të tilla (vetë partia e Tsipras-it, Syriza, ka 145 vota), ai do të mund të mbajë në këmbë qeverinë e tij deri në tetor, kur mbaron mandati i saj.
"Sot parlamenti grek dha një votë besimi për stabilitetin. Ne morëm votëbesimin e Parlamentit dhe vijojmë punën për të përmbushur nevojat dhe për të mbrojtur interesat e popullit grek", tha Tsipras në përfundim të votimit.
Kriza në qeverinë greke nisi javën e kaluar, kur Kammenos dhe partia e tij ngritën pretendimin për diferenca të papajtueshme në lidhje me marrëveshjen me Maqedoninë, me kryeministrin e së majtës.
Marrëveshja e qershorit mes Tsiprasit dhe kolegut të tij maqedonas Zoran Zaev i dha fund debatit disavjeçar mes dy vendeve në lidhje me emrin e Maqedonisë. Marrëveshja është ratifikuar në parlamentin maqedonas javën e kaluar, ndërsa tani është radha e Greqisë të bëjë të njëjtën gjë.



