Partia Demokratike ka denoncuar ditën e sotme koncesionin e sterilizimit.
Partia Demokratike ka dalë në një deklaratë për shtyp ku shprehet se koncesioni i sterilizimit është një vjedhje e hapur dhe se kushton 80 herë më shumë.
Sipas ish-deputetes Oriola Pampuri, mjekët kanë denoncuar se kur shteti e bënte vetë sterilizimin kosto shkonte në 2.4 euro për një set kirurgjikal, sot që ky shërbim është dhënë me koncension kushton 190 euro një set kirurgjikal. Pra 80 herë më shumë.
Koncesioni i sterilizimit të instrumentave kirurgjikalë, njësoj si ai i chek up-it apo ai i laboratorëve, përbën një nga provat më flagrante të korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës. Koncesioni i sterilizimit është dëshmi se prioritet i Edi Ramës nuk janë pacientët, por pasurimi i paligjshëm, duke u fshehur pas identiteteve fasadë , të siguruar nga Ilir Beqja.
“Koncesioni i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë, njësoj si ai i chek up-it apo ai i laboratorëve, përbën një nga provat më flagrante të korrupsionit të qeverisë”, tha sot në një deklaratë për shtyp, ish-deputetja Pampuri, ndërsa theksoi se PD do anulojë koncesionet në shëndetësi.
Sipas Pampurit koncesioni është vjedhje dhe i ka marrë buxhetit 5 milionë euro më shumë.
“Koncesioni i sterilizimit është vjedhje e hapur e një shërbimi që shteti mund ta kryente vetë me shumë më pak para. Që kur nisi nga funksionimi, ky koncesion 10 vjeçar i ka marrë buxhetit rreth 5 milionë euro më shumë. Edhe Urdhri për të kryer më pak operacione, nga ministria e shëndetësisë me justifikimin banal dhe abuziv se janë shteruar fondet është një tjetër rast i hapur abuziv për shpërdorimin e fondeve të shëndetësisë duke ua vënë ato në shërbim të PPP ve dhe koncesioneve. Kështu ulja e numrit të operacioneve bën që pacientët duhet të presin në radhë, gjë që agravon maksimalisht gjendjen e tyre”, shprehet ajo.
Po ashtu Pampuri thekson se “Partia Demokratike është e vendosur ta anulojë këtë koncesion”.



