Gjurmët e një qyteti ilir i kanë bërë arkeologët shqiptarë që të drejtojnë sërish vëmendjen drejt Kepit të Rodonit. Një grup arkeologësh kryesuar nga Ardian Anastasi dhe i përbërë edhe nga Brikena Shkodra dhe Eduard Shehi, kanë gjetur së fundmi në këtë zonë një fragment të çmontuar të një furre prodhimi qeramike. Siç bëjnë me dije, arkeologët janë në kërkim të një vendbanimi qytetar, çka vërtetohet nga sasia e madhe e mbetjeve të tullave dhe tjegullave, prodhime që nisin nga shek. IV para erës së re dhe që u gjetën në luginën ku ndodhet kisha e Shna Ndoit, në breg të detit. Specialistët kanë krijuar bindjen se qyteza e mundshme që shtrihet mes Durrësit dhe Lezhës duhet kërkuar mbi njërën prej kodrave, që tashmë është e mbuluar plotësisht nga shkurret, por provat për të, pritet të dalin nga gërmime të mëvonshme, të cilat pritet të fillojnë në shtator.
I njohur për plazhin, natyrën, kishën e vjetër dhe fortifikimet e ndërtuara prej Skënderbeut, Kepi i Rodonit është në listën e vendeve që tërheqin vëmendjen e arkeologëve pas gjetjeve pranë tij të dy anijeve 2300 vjeçare.
Durrësi, në fakt është vetëm një prej vendbanimeve, që sipas Anastasit ruan gjurmë të qytetërimit ilir dhe mënyrës së organizimit të jetës në këtë periudhë, e cila sipas tij ka shumë hapësirë për studime të reja.
Prehistoriani Ilir Gjipali nga ana e tij flet për ilirët që nga prehistoria e deri në periudhat e mëvonshme.
Sipas tij, studimet për periudhën ilire nuk kanë munguar dhe madje janë edhe më efiçente në periudhën pas ’90-ës, por ato vijnë në një formë tjetër, më komplekse dhe duke mos u marrë me idenë e autoktonisë ilire të shqiptarëve.
Ai shpjegon se qasja e sotme studimore ndaj kësaj periudhë është më e drejtë, edhe për shkak të kufinjve jo të mirëpërcaktuar që Iliria ka pasur.
Të njëjtin mendim me të ndan edhe drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita, kur vjen fjala te studimet për ilirët dhe periudhën ilire.
Ndërkohë, arkeologu Adrian Anastasi mendon se është mirë të flitet më tepër për mënyrën e jetesës në Ilir, por ka disa pasaktësi përsa i përket mënyrës se si flitet në disa raste për ilirët dhe periudhën ilire. Sipas tij, termi koloni, përsa i përket periudhës klasike helenistike duhet zhdukur fare.
Ndërkohë, ai pohon se kur flasim për Ilirët nuk mund të flasim për një shtet të mirëfilltë, por më tepër për mbretëri me organizim të periudhës helenistike.
Arkeologu e mohon ekzistencën e piraterisë ilire dhe e sheh këtë në kontekstin e zhvillimit ekonomik dhe politik të kohës.
Anastasi flet gjithashtu edhe për kufinjtë e Ilirisë, duke theksuar ashtu si dhe kolegu i tij Gjipali, se këta kufinj janë të lëvizshëm.
Sipas tij, nëse flasim për dallime midis Epirit dhe Ilirisë është njëlloj sikur të flasim për dallime midis toskëve dhe gegëve.
Përsa i përket kufirit të Epirit me Ilirinë dhe asaj që fiset epirote janë ilire, për prehistorianin Gjipali këto dallime thuajse nuk ekzistojnë. Ndërkohë ai flet edhe për atë që disa herë ka pasur përpjekje për ta paraqitur Butrintin si koloni greke, por kjo sipas Gjipalit nuk është e vërtetë.
Një pikë e cila përmendet shpesh si referencë e kulturës ilire është kultura e Komanit, e cila sipas arkeologëve është në fakt vetëm një prej shtrirjeve gjeografike apo vendeve që ofron vend për studim.
Ajo që është për t’u nënvizuar sipas vetë arkeologëve është se studimet për periudhën ilire ofrojnë vend për shumë zbulime dhe interpretime të reja, përtej tezës së autoktonisë ilire të shqiptarëve dhe të një kufiri fiks apo të mirëpërcaktuar të Ilirisë.



