Institucionet publike bëhen gati për punën online.
Një dokument i Departamentit të Administratës Publike udhëzon disa institucione që të përgatisin listat e nëpunësve që do të zhvillojnë punën online.
Vendimi vjen në përputhje me zbatimin e masave kufizuese që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Udhëzimi përcakton që çdo punonjës duhet të pajisjet me mjetet e nevojshme si kamera, kufje, mikrofonë, apo edhe kompjutera në pronësi të institucionit. Ndërkohë, një pjesë e punonjësve do të punojnë nga zyrat duke respektuar masat dhe protokollin shëndetësor.
Institucioneve u lihet hapësirë të përcaktojnë numrin e punonjësve që do të punojnë nga shtëpia, në varësi të sipërfaqes së intitucionit. Ndërkohë, lihet hapësirë edhe për ndryshime orari për prindërit, në përputhje me orarin e shkollave dhe kopshteve, kjo me kushtin që të plotësohet 40-orëshi i punës në javë.



