
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, në një prezentim para kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Blendi Çuçi, ka theksuar mirënjohjen për parashikimet e buxhetit të ri 2022 nga Këshilli i Ministrave, i cili sipas tij garanton të gjithë shtesat e pagave, të cilat shkojnë për policët.
Në bazë të projektbuxhetit, do të jenë rreth 200 milionë lekë më shumë, të cilat shkojnë për shpenzimet e personelit.
Duke filluar nga janari i vitit 2022, 1179 punonjës policie që punojnë jashtë qendrës së banimit do të paguhen shtesë me 50 % të pagës aktuale, deklaroi drejtori i Policisë së Shtetit.
Edhe punonjësit që kanë gradën inspektor do të përfitojnë për herë të parë këtë rritje me 50 për qind shtesë të pagës aktuale.
Synohet rritja e numrit të mjeteve, referuar faktit se kemi rritur shkallën e modernizimit, pajisjet e gjurmimit dhe monitorimit në distancë, buxheti so të sigurojë riparimin e këtyre pajisjeve. Në vitin 2022 janë parashikuar me rritje me 81% më shumë se krahasuar me vitin aktual. Po ashtu, me rritjen e buxhetin e vitit 2022, do të bëhet pagesa e orëve të punës për ‘orët e natës’, mbi kohë e punës, trajtim të veçantë për 1179 punonjës policie që punojnë jashtë qendrës së banimit nga janari i vitit 2022 do marrin shtesë 50 % të pagës aktuale. Po ashtu, për herë të parë këtë shtesë e përfitojnë edhe punonjësit që kanë gradën inspektorë.
Si investim i fundit i përmendur, sipas kryepolicit Nano, është edhe ai i “makinave inteligjente”, të cilat monitorojnë rrugët e Shqipërisë, duke i mbajtur ato më të sigurta nga drejtuesit e mjeteve që përbëjnë rrezikshmëri.
Nga ana e të huajve, do të ketë ndërkaq 81% më shumë investime. Kjo shumë shkon në masën e 335 milionëve. Pjesa më e mirë e tyre do të shkojë për trajnimin e duhur të efektivëve apo edhe për modernizimin e flotës së Policisë.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në fjalën e tij në prezantimin e buxhetit të vitit 2022 për policinë e Shtetit ka theksuar se vëmendje kanë rritja e pagave dhe investimet për të përmirësuar teknikat dhe mënyrat për të luftuar krimin.
Sipas tij punonjësit e policisë së shtetit që punojnë larg vendbanimeve do të kenë një bonus deri në 150% të pagës aktuale që ato marrin për ti motivuar dhe për ta bërë më të lehtë shpenzimet që ato kanë.
“Që në vitin e parë të mandatit tonë të tretë kemi një rritje të buxhetit me 4%, duke ruajtur kështu ritmin e rritjes së këtyre 8 viteve që ne qeverisim dhe duke garantuar financim për prioritetet tona në fushën e rendit dhe sigurisë.
Gjithmonë dhe më tepër Policia e Shtetit është më pranë komunitetit dhe po merr rolin si strukturë që menaxhon dhe kontrollon çdo cep të territorit. Ndaj trajtimi i mirë financiar mbetet prioritet. Për këtë vit kemi parashikuar që punonjësit e Policisë së Shtetit që punojnë larg vendbanimit do të përfitojnë shpërblim sipas orëve të punës dhe distancës me banesën. Paga e tyre do të shkojë deri në masën 150%.
Kjo është një rritje e konsiderueshme dhe vetëm sot që flasim janë rreth 1200 punonjës policie që përfitojnë shpërblimin. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që ata hasin krahasuar me punonjësit e tjerë të policisë, prandaj për herë të parë në buxhetin e vitit të ardhshëm do të ketë një trajtim të veçantë për këtë kategori.
Kjo rritje do të ketë impakt në të ardhurat e tyre, por do të ndikojë edhe në produktivitetin në punë. E di që nuk është e lehtë të punosh larg vendbanimit dhe të paguhesh po njësoj sa kolegët e tu që janë më afër. Prandaj do ta korrigjojmë këtë problem duke nisur nga janari i vitit 2022.
Përsa i përket investimeve që do të realizojë Ministria e Brendshme në vitin 2022, janë 70% më tepër krahasuar me vitin që po lemë pas. Dhe këtu kemi një kapërcim tjetër të madh krahasuar me vitin 2021 sepse 45% të këtyre investimeve do të shkojnë për teknologji.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij para efektivëve të lartë të policisë, ka renditur tre prioritet kryesore për Policinë e Shtetit me buxhetin e vitit 2022.
Sipas tij, prioritet mbi prioritetet mbetet lufta kundër krimit, sidomos krimit financiar.
“Lufta kundër krimit është prioritet i prioriteteve përfshirë në të gjitha aspektet e saj. Ndjehet ende mungesa me të njëjtin efikasitet siç ka pasur operacioni Forca e Ligjit apo kjo pjesë e organizimit policor tek lufta kundër krimit ekonomik. Aty është e domosdoshme që të vendosen më shumë forca dhe të krijohen kushte për të arritur të njëjtat rezultate si me pjesën tjetër. Prioriteti i dytë jo më pak i rëndësishëm është ngritja në një nivel sigurie më të lartë të të gjithë qarkullimit rrugor në republikën e Shqipërisë. Vendosja e një kontrolli absolut, jo vetëm në aspektin e veprimtarisë kriminale apo të shkeljeve të ligjit që kanë të bëjnë me cenimin e personit por që kanë të bëjnë me territorin, me trupin e këtij vendi që Zoti e ka bërë për të qenë parajsë për ata që jetojnë dhe dora e robit e ka kthyer në një ferr. Është e patolerueshme që të ndodhin krime në mjedis. Është e patolerueshme që të jetë në formën e gjobave për ata që hedhin një avlli dhe të mos jetë për ata që mbushin detin në zhavorr. Prioriteti tjetër është rritja e standardeve të bashkëpunimit me qytetarët.



