Presidenti kinez Xi Jinping nuk ka gjasa të marrë pjesë personalisht në samitin e ardhshëm të G20 në Indi, kanë thënë zyrtarë kinezë dhe indianë në kushte anonimati për Reuters.
Delegacioni i Pekinit në eventin e madh, që planifikohet të zhvillohet në Nju Delhi më 9 dhe 10 shtator, do të kryesohet nga kryeministri kinez Li Qiang, njoftoi agjencia të enjten.
"Ne jemi të vetëdijshëm se kryeministri kinez do të vijë" në vend të Xi, tha një zyrtar i lartë i qeverisë indiane për Reuters.
Megjithatë, asnjë nga burimet nuk bën me dije arsyen përse udhëheqësi kinez ka vendosur të mos udhëtojë drejt Indisë.
Ministria e Jashtme indiane dhe ajo kineze nuk pranuan të komentojnë kur u pyetën për këtë çështje nga agjencia.



