
Nën thirrjet “Rama ik” qytetarë të Vlorës janë mbledhur para selisë së Partisë Demokratike në këtë qytet në pritje të nisjes së tubimit të tyre.
Protesta e tyre vjen pak para nisjes së mitingut përmbyllës të fushatës elektorale të 30 qershorit, nga kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama ka shtyrë me 30 minuta nisjen e mitingut dhe për pasojë, të njëjtën gjë kanë bërë edhe opozitarët, të cilët e kanë shtyrë protestën me 30 minuta. Mitingu i Ramës pritet të nisë në orën 20:00.
Në ruajtjen e rendit dhe sigurisë janë angazhuar dhjetëra forca të Policisë së Shtetit, si dhe nga Garda e Republikës.
Ndërkohë në një postim në twitter, kryeministri Edi Rama ka komentuar protestën e opozitarëve të Vlorës.
Rama i ka quajtur protestuesit çetë haxhiqamiliste ku mungon vetëm Berisha, Meta, Basha dhe Kryemadhi.
“Ja dhe çeta haxhiqamiliste e Vlorës gati për antimitingun enverist të radhës, “Rama Ik”, ku mungon vetëm Saliu me automatik, Luli me matrapik, Iliri me llastik dhe Fallxhorja me zhapik, po ama turpi i ngrënë me bukë vazhdon sistematik dhe revolucioni është bërë mekanik”,- shkruan Rama.



