Rreth 30 punëtorë të inceneratorit të Fierit kanë protestuar këtë të shtunë pasi kanë 4 muaj pa marrë pagat. Ata janë mbledhur para portës kryesore të impiantit të përpunimit të mbetjeve duke kërkuar të takojnë drejtuesit.
Protestuesit thanë se kanë marrë premtim, por nuk kanë besim ndaj sot kërkojnë shlyerje të menjëhershme të pagave të prapambetura. Ata shprehen se nëse nuk arrijnë të takojnë sot administratorin Farudin Arapi do të bllokojnë hyrjen e Inceneratorit.
“Nuk kemi marrë pagat prej 4 muajsh. Kemi dalë në shenjë proteste, nuk po punojmë fare, na është premtuar për të marrë pagat. Nuk guxoj të shkoj në shtëpi se bëj debat me zonjën se kërkon 5 lekë për të ngrënë bukë. Nuk kam çfarë tu them fëmijëve, duan të hanë bukë”, tha ai.
Aktualisht inceneratori i Fierit nuk është në gjendje pune, ndërsa protestuesit janë kryesisht roje dhe mirëmbajtës. Gjithsej 30 vetë që paguhen me pagë minimale 32 mijë lek në muaj.



