
Pas informacionit se në dy servise cel në rrugën "Fortuzi” në kryeqytet, tregtoheshin telefona, të cilët dyshohen se ishin të kriptuar dhe futeshin në mënyrë kontrabandë në Shqipëri, policia e Tiranës ka ushtruar kontroll të befasishëm në to. Burimet për MCN thonë se në njërin prej këtyre serviseve, policia gjeti dhe sekuestroi tetë aparate celulare, të cilat ishin pa faturë tatimore dhe të kriptuar.
Servisi ku u gjetën aparatet celulare ishte në pronësi të 35-vjeçarit, Denis Raboçi me orgjinë nga Saranda, banues në Tiranë, teksa hetimet kishin nisur afro 4 muaj më parë nga sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.
Sipas burimeve, nga informacionet që ka në dorë policia e kryeqytetit dyshohet se këto telefona u shiteshin personave me precedentë kriminal, ndërsa aparatet celulare ishin blerë në google dhe që nga aty rezultonin të kriptuar, teksa aplikacionet e kodimit të tilla si Encrochat, Signal, etc, punojnë të koduar me internet pa patur nevojë të përdorësh karta SIM.
Me anë të këtyre telefonave dhe aplikacioneve të koduara, dyshohet se personat me precedenstë kriminalë, kryejnë trafik droge e armesh, me mesazhe të koduara dhe falë këtyre aplikacioneve kamuflohen duke iu shmangur përgjimeve.
35-vjeçari u procedua në gjendje të lirë nga policia, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat e për veprat penale "Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë", "Shitja e paautorizuar e kartave sim", "Fshehja e të ardhurave", "Mospagimi i taksave dhe tatimeve", dhe "Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale".



