Ambasadori shqiptar në Kinë, Selim Belortaja, thotë se zyrtarizimi i dy rasteve të para me koronavirus në Shqipëri duhet të shërbejë si nxitje për masat që do të frenojnë përhapjen.
Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehet se qytetarët në Shqipëri duhet të bëjnë kujdes në mjediset publike si edhd të lënë pas bindjet e gabuara për trajtimin e virusit, duke u besuar vetëm udhëzimeve të institucioneve shëndetësore.
Vendi i origjinës së korornavirusit, Kina e ka përballuar mirë epideminë. Pavarësisht numrit të viktimave, Kina ka arritur të frenojë me sukses përhapjen, ndërsa numri i rasteve të të shëruarve është gjithnjë e më optimist.
Mesazhi i Belortajës
Asgjë e re s’ka ndodhur. Ato 2-3 ishujt e vegjël s’mund të qëndronin për shumë kohë gri. Me Italinë ne ishim thuajse “njësh” me avionat dhe tragetet e përditëshme. Bashkimi me “hartën e kuqe” aty ishte, sot vetëm sa u zyrtarizua. Kjo është keq sigurisht, por ka dhe një të mirë: uljen tonë me këmbë në tokë! Mbylljen e stacionit të ..Gallatës! Stopin e ..qyfyreve, kunjave e shakave tona bajate, të folklorizmave si ..“është si punë gripi, po ..një çikë me i fortë se gripi”! apo “jemi racë e fortë”; të këshillave qesharake si ....”hani limona e pini raki”! “është kot kjo e kot ajo...”, etj. Ngjeshjes e gajasjes sonë të papërgjegjshme nëpër kafe, restorante, salla, stadiume dhe autobuza edhe ..për 1 stacion! Të gjithë duhet të shkundemi. Ndryshe doemos ..do të na shkundë!



