
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi po shqyrtojnë mundësinë e heqjes së taksës kufitare. Ministri i Transportit dhe Çështjeve Detare të Malit të Zi, Osman Nurkoviç, dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj, janë takuar sot në Prishtinë.
Ata kanë diskutuar për disa projekte bashkëpunimi në infrastrukturën rrugore, ajrore dhe hekurudhore, por gjatë takimit është premtuar se shumë shpejt do të hiqet taksa kufitare.
“Ajo që është dakorduar në këtë takim, është që të zhvillojmë infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe heqjen e taksës kufitare”, citohet ministri i Kosovës në komunikatën zyrtare.
“E kemi identifikuar si një barrierë e cila i pengon bizneset dhe besoj që shumë shpejt do ta mënjanojmë. Për këtë çështje kemi përkrahjen e të dy kryeministrave tanë”, ka thënë ministri i Malit të Zi.



