
24 orë pas dorëzimit të mandateve të opozitës, Kuvendi i Shqipërisë duket se nuk do të humbasë kohë pasi ia ka dorëzuar tashmë kërkesën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Burime për "Tema Tv" bëjnë me dije se Kuvendi përmes një kërkese me shkrim i ka kërkuar KQZ-së që të nisë përgatitjet për të bërë zëvendësimet e emrave të deputetëve nga lista e partive të opozitës, në kushtet kur tashmë deputetët aktualë kanë hequr dorë nga mandati.
Kuvendi ka vënë në dijeni KQZ për vakancat e krijuara 24 orë më parë, pas vendimit të 56 deputetëve të opozitës për të lënë mandatet e tyre parlamentare.
Nga ana tjetër PD dhe LSI vijojnë ende që të presin kandidatë për deputetë në listat e tyre shumëemërore, për të firmosur dorëzimin vullnetar të mundësisë për t’u bërë deputetët e ardhshëm të parlamentit të Shqipërisë.
Pavarësisht se Kuvendi ka patur afat deri në 30 ditë për dorëzimin e emrave të deputetëve të dorëhequr në KQZ, duket se strategjia e qeverisë do të jetë ndryshe.
Opozita ka dorrëzuar mandatet e deputetit në shenjë proteste ndaj kryeministrit Edi Rama. Ata kanë kërkuar largimin e Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme, por kjo gjë nuk është pranuar nga kreu i qeverisë.



