
Drejtues i sulmit në dhomën e Senatit është një amerikan me origjinë italiane. Ai është Jake Angeli, 32 vjeç, është një nga personazhet më të njohur të protestave të Trump në muajt e fundit. Ai ka qenë shumë aktiv në protestat e Arizonës kundër "zgjedhjeve të vjedhura" dhe ka qenë ndjekës i teorive të konspiracionit, sipas të cilave bota drejtohet nga një rrjet sekret i armiqve pedofilë të Trump. Dje ai u pa në krye të një grupi me flamuj amerikanë , që depërtuan në zemër të "sistemit".
Në rrugët e Uashingtonit, protestat kundër "zgjedhjeve të vjedhura" përfshinin grupe militantësh të organizuar të akuzuar për lidhje me supremacistët e bardhë - si Djemtë Krenarë dhe Boogaloos - dhe komplotistët e QAnon, por edhe familje, shumë të rinj, gra. Të paktën tridhjetë mijë njerëz morën pjesë në marshimin "Ruaj Amerikën", organizuar nga vajza e një prej themeluesve të Tea Party, Kylie Jane Kremer, e cila krijoi shoqatën "Gratë për Amerikën së pari" me nënën e saj: fillimisht ishte një përgjigje ndaj përpjekjes për të shkarkuar Trump, pastaj kundër maskave për Covid. Por ka pasur edhe demonstrata të tjera në dy ditët e fundit.
Djemtë krenarë, të cilët Trump i quajti "patriotë",. Udhëheqësi i tyre, Enrique Tarrio, 36 vjeç, me origjinë kubane, u arrestua të hënën në Uashington për djegien e një flamuri Black Lives Matter. Natën e kaluar ai u rishfaq në Parler - rrjeti social që mirëpriti grupe të ekstremit të djathtë të ndaluar nga rrjetet e tjera sociale. Aty u shkëmbyen udhëzime se si të arrihet në Kapitol Hill duke shmangur pengesat e policisë dhe cilat mjete duheshin përdorur për të hapur me forcë dyert dhe dritaret.
Në orën 6 të pasdites, ndërsa niste orari i kufizimit që ka vendosur kryebashkiaku i Uashingtonit, Muriel Boëser, trumpianët nisën të ktheheshin në hotele përreth Shtëpisë së Bardhë apo në dhomat me qira me Airbnb. "Ne vijmë nga Karolina e Veriut, jemi këtu për të mbrojtur presidentin tonë. Na vodhën zgjedhjet”, thotë njëri prej tyre. Por jo të gjithë dukej se kishin ide të qarta. Kur u pyetën: "Kush ua vodhi zgjedhjet?", ata nuk kishin një përgjigje të unifikuar: "Qeveria ...", "Po, qeveria, demokratët".



