Problemi i pazgjidhur i pronës dhe niveli i lartë i informalitetit në ekonominë shqiptare, që vlerësohet rreth 30% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, mbeten ndër sfidat kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit.
Këto çështje u rikthyen në vëmendje edhe pas intervistës së Kryeministrit Edi Rama për një të përditshme greke, ndërsa u analizuan më tej në emisionin “MCN Economy” nga eksperti i ekonomisë Joni Myshketa, juristi Romeo Kara dhe gazetari i ekonomisë Lorenc Rabeta.
Juristi Romeo Kara theksoi se niveli i lartë i informalitetit ka krijuar një treg të padrejtë dhe ka dëmtuar konkurrencën. Sipas tij, mosmbledhja e detyrimeve financiare dhe tolerimi i paligjshmërisë kanë sjellë pasoja të rënda për ekonominë.
Informaliteti në ekonomi është shumë i lartë dhe ka deformuar tregun dhe konkurrencën e lirë. Ka kompani që kanë operuar në mënyrë të paligjshme dhe kanë qenë të favorizuara, pasi nuk kanë paguar detyrimet si akciza. Ndërkohë, shteti ka treguar paaftësi për të mbledhur borxhe që arrinin në qindra miliona euro, para që i mungojnë arsimit, shëndetësisë dhe sigurisë. Paligjshmëria po sundon mbi ligjin.
Ai u ndal edhe te çështja e pronës, duke theksuar se problematika ka nisur që në fillim të viteve ’90 dhe vijon të mbetet e pazgjidhur, duke krijuar pabarazi dhe konflikte të vazhdueshme.
Gazetari i ekonomisë, Lorec Rabeta, e konsideroi çështjen e pronës një nga pengesat kryesore për investimet e huaja në Shqipëri.
Fragmentarizimi i tokës pas ligjit 7501 ka bllokuar investimet e huaja për më shumë se tre dekada. Investitorët kërkojnë siguri juridike dhe dokumentacion të qartë pronësie, gjë që shpesh mungon. Aktualisht janë rreth 26 mijë dosje që presin zgjidhje në agjencitë përkatëse, që do të thotë mijëra familje në pritje të të drejtës së tyre.
Sipas tij, kostoja për kompensimin e pronarëve mund të arrijë deri në miliarda euro, ndërsa informaliteti mbetet edhe më i lartë se shifrat zyrtare.
Vlerësimi prej 30% mund të jetë diplomatik; në realitet, niveli i informalitetit mund të jetë edhe më i lartë, sidomos në sektorë si ndërtimi.
Ndërsa profesori i ekonomisë, Joni Myshketa, e cilësoi informalitetin si një problem sistemik që dëmton konkurrencën dhe frenon zhvillimin.
Informaliteti është një plagë që nuk ndodh pa dijeninë e shtetit. Ai dëmton biznesin e ndershëm, ul konkurrencën dhe largon profesionistët nga tregu. Në shumë raste, vetë administrata krijon kushte që nxisin praktika informale.
Duke u ndalur te rëndësia e pronës, ai theksoi se pasiguria juridike mbetet një pengesë madhore për zhvillimin ekonomik.
Prona është themeli i ekonomisë. Pa siguri mbi pronën, nuk mund të ketë investime të qëndrueshme. Mungesa e kësaj sigurie ka bërë që shumë investitorë të huaj të tërhiqen nga Shqipëria.
Analiza e tyre nxjerr në pah se pa zgjidhjen e çështjes së pronës dhe pa një luftë efektive kundër informalitetit, ekonomia shqiptare do të vijojë të përballet me pengesa serioze në tërheqjen e investimeve dhe garantimin e një tregu të drejtë konkurrues.



