Një situatë e rëndë dhe shqetësuese është alarmuar në segmentin rrugor nacional Këlcyrë-Dragot, ku një masiv i madh shkëmbor qëndron i varur mbi rrugë.
Ky shkëmb përbën një kërcënim serioz për jetën e qindra drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve që qarkullojnë çdo ditë në këtë aks.
Sipas ekspertëve dhe banorëve, masivi shkëmbor ka humbur qëndrueshmërinë dhe rrezikon të shkëputet e të bjerë mbi rrugë në çdo moment, gjë që do të sillte pasoja tragjike.
Rreziku i shembjes bëhet akoma më madh me nisjen e stinës së vjeshtës dhe reshjeve të dendura të shiut. Lagështira e lartë dhe erozioni i vazhdueshëm i tokës mund të shërbejnë si shkaktarë të menjëhershëm për lëvizjen e tij.



