Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen gjatë konferencës së përbashkët për mediat me kryeministrin Rama, theksoi se Shqipëria ka bërë një progres me shpejtësi rekord drejt integrimit në BE, dhe në vjeshtë do të hapet grup-kapitulli i fundit. Ajo e konsideroi si ambicioze faktin që Shqipëria synon mbylljen e negociatave në 2027-ën, ndërsa vuri në dukje edhe momentin gjeopolitik pas agresionit rus në Ukrainë.
“Mesazhi im i parë është i qartë, Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE-së. Ju keni bërë progres, por unë tani dua të theksoj që është një progres i mrekullueshëm, një shpejtësi rekord, dhe një përshpejtim i vërtetë në tre vitet e fundit. 5 nga 6 grup-kapitujt janë tashmë të hapur, dhe ne planifikojmë të hapim të fundit këtë vjeshtë.
Qëllimi juaj është të mbyllni negociatat në 2027-ën, kjo është ambicioze, por ne na pëlqen ambicia. Ne do të jemi me ju në çdo hap të vetëm të kësaj rruge. Momenti gjeopolitik është tani këtu. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka formësuar kontinentin tonë dhe çdo komb europian duhet të zgjedhë vendin e tij. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj mjaft qartë, ju jeni plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe së bashku ne veprojmë si një”.



