Hila: Turistët kërkojnë hapësira publike. Dervishej: Statistikat s’pasqyrojnë realitetin. Norja: Presim fluks pas 17 korrikut (VIDEO)

Hila: Turistët kërkojnë hapësira publike. Dervishej: Statistikat s’pasqyrojnë realitetin. Norja: Presim fluks pas 17 korrikut (VIDEO)

Në kulmin e sezonit turistik, menaxhimi i plazheve, flukset e vizitorëve dhe ecuria e sezonit mbeten në qendër të diskutimeve. Formula e re e administrimit të hapësirave bregdetare, ndikimi i protestave në profilin e turistëve, si edhe mungesa e statistikave të plota për sektorin, ishin temat e trajtuara në studion e MCN Economy, ku të ftuar ishin operatorët turistikë Aneo Hila dhe Blerim Norja, si edhe eksperti i turizmit Luan Dervishej.

 

Operatori turistik Aneo Hila u shpreh se sezoni ka ndjekur një ecuri me luhatje gjatë muajve të parë të vitit, por aktualisht trendi mbetet pozitiv. Sipas tij, rritja më e dukshme vihet re te grupmoshat e reja, fenomen që mund të jetë ndikuar edhe nga protestat e zhvilluara në vend.

 

Janari nisi me rritje, marsi pati një ngadalësim, ndërsa prilli dhe maji rikuperuan situatën me një rritje të shëndetshme. Edhe pse nuk kemi ende shifrat përfundimtare të qershorit, si tur-operator nuk shohim rënie, përkundrazi konstatojmë një rritje të volumit të turistëve. Ajo që bie në sy është shtimi i vizitorëve të moshës 20 deri në 35 vjeç dhe besojmë se protestat kanë ndikuar në tërheqjen e kësaj grupmoshe, e cila është më e prirur të vizitojë vende ku ka zhvillime sociale dhe aktivitete.

 

Ai theksoi se sektori ka nevojë për një formalizim më të madh, në mënyrë që analizat të mbështeten mbi të dhëna reale dhe jo vetëm mbi perceptime.

 

Duhet të rritet formalizimi i tregut, duke u bazuar tek netët e akomodimit, faturat e restoranteve dhe indikatorë të tjerë ekonomikë. Po ashtu duhet të diferencohen qartë ata që hyjnë në Shqipëri për të vizituar familjarët nga turistët që konsumojnë shërbime turistike dhe akomodohen në hotele. Vetëm kështu mund të kemi një panoramë të saktë të sektorit.

 

Sa i përket menaxhimit të plazheve, Hila vlerësoi se është ende herët për të dhënë një bilanc, por evidentoi nevojën për më shumë hapësira publike dhe shërbime.

 

Turistët nga Europa Perëndimore presin më shumë hapësira publike, orientim përmes hartave informuese dhe shërbime cilësore. Në çdo zonë bregdetare duhet të ketë roje bregdetare dhe standarde të unifikuara sigurie. Nuk mjafton vetëm organizimi i hapësirave me çadra private.

 

Eksperti i turizmit Luan Dervishej ngriti shqetësimin se Shqipëria vazhdon të analizojë sektorin mbi baza të paplota statistikore.

 

Kur flasim për flukset turistike duhet të kemi parasysh se informacioni që disponojmë është i paplotë. Raportimet për shfrytëzimin e hoteleve shpesh nuk përputhen me realitetin dhe analizat mbështeten kryesisht te të dhënat që raportojnë vetë bizneset. Edhe statistikat e hyrjeve në kufi nuk reflektojnë plotësisht numrin real të turistëve, pasi përfshijnë edhe kategori të tjera udhëtarësh. Për këtë arsye, ende flasim më shumë me perceptime sesa me shifra reale.

 

Sipas Dervishejt, qershori nuk ka sjellë ndonjë ndryshim të madh krahasuar me vitet e mëparshme dhe tregu vendas vijon të mbetet dominues.

 

E vërteta është se turistët shqiptarë mbeten faktori kryesor i sezonit. Në Durrës ka hotele që punojnë me charter dhe grupe të organizuara, por në pjesën më të madhe të destinacioneve janë pushuesit vendas ata që mbushin plazhet. Ende nuk kemi arritur që turistët e huaj të jenë faktor dominues.

 

Ai shtoi se modeli i menaxhimit të plazheve duhet të ndryshojë.

 

Ne ende nuk zbatojmë praktikat më të mira europiane. Përgjegjësitë mbeten të paqarta dhe mungon bashkëpunimi institucional. Plazhi duhet të ndërtohet mbi nevojat e turistëve, me një model të integruar që përfshin infrastrukturën, sigurinë dhe shërbimet.

 

Nga ana tjetër, operatori turistik Blerim Norja tha se pritshmëritë për një sezon më të mirë janë zbehur gjatë korrikut, veçanërisht në Durrës, ku sipas tij mungojnë turistët që zakonisht mbushin hotelet në këtë periudhë.

 

Muajt mars, prill dhe maj dhanë sinjale pozitive dhe u krijua ideja se sezoni do të ishte më i mirë se një vit më parë. Megjithatë, aktualisht në shumë hotele të Durrësit ka ende dhoma bosh, diçka që nuk ndodh zakonisht në fillim të korrikut. Presim që fluksi të shtohet pas datës 17 korrik, kur tradicionalisht rriten rezervimet.

 

Norja vlerësoi se protestat nuk kanë ndikuar njësoj te të gjitha tregjet.

 

Turistët gjermanë kanë shfaqur njëfarë hezitimi për shkak të protestave, ndërsa nga tregje si Polonia apo Çekia nuk kemi konstatuar ndonjë ndikim. Besojmë se situata do të përmirësohet në javët në vijim.

 

Lidhur me menaxhimin e plazheve, ai tha se këtë vit është rritur pesha e plazheve publike, ndërsa hotelet vijojnë të kenë hapësirat e tyre të dedikuara.

 

Në Durrës nuk ka pasur ndonjëherë problem serioz me ndarjen e hapësirave. Turistët kanë mundësi të zgjedhin mes plazheve publike dhe atyre private. Çmimet variojnë nga 500 deri në 1500 lekë për një çadër, çka u jep mundësi kategorive të ndryshme të pushuesve të gjejnë alternativën që u përshtatet.

 

Sa i përket sigurisë, Norja theksoi se çdo subjekt ka detyrim ligjor të ketë roje bregdetare, por kjo duhet të shoqërohet edhe me më shumë ndërgjegjësim nga vetë pushuesit.

 

Roja bregdetare është një detyrim ligjor për çdo subjekt që administron plazh, por fatkeqësisht vetëm prania e saj nuk mjafton. Nevojitet edhe më shumë përgjegjshmëri nga qytetarët për të respektuar rregullat e sigurisë në det.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy