
Autori i dyshuar për vrasjen e 33-vjeçarit Armando Beqiri në Islandë, Angjelin Stërkaj ka treguar se vrasja ka ndodhur për arsye personale mes tij dhe të ndjerit. Në vazhdim të dëshmisë së tij, Strëkaj është shprehur se të arrestuarit e tjerë lidhur me vrasjen e ndodhur më 17 shkurt të këtij viti, nuk kanë lidhje me ngjarjen.
Rrjedha e ngjarjeve thotë Stërkaj ka ndodhur pas disa kërcënimeve serioze, të cilat shton se nuk i shpjegon dot për momentin.
“Më vjen shumë keq që një numër i madh njerëzish, të cilët nuk kanë marrë pjesë në atë që bëra unë, ishin të përfshirë në këtë çështje dhe madje u desh të vendoseshin në paraburgim. Gjithçka ka ndodhur për arsye personale, të cilat kishin të bënin personalisht me mua dhe të ndjerin. U bënë kërcënime serioze dhe filloi rrjedha e ngjarjeve, të cilat nuk i shpjego dot për momentin”, është shprehur Angjelin Stërkaj.
I dyshuari, që gjithashtu është shtetas shqiptar, nuk ka pranuar të japë shpjegime të hollësishme rreth ngjarjes, por beson se do të sqarohet kur të përfundojë hetimi i çështjes dhe prezantimi i provave në gjykatë. Angjelin Stërkaj nuk është një emër i panjohur edhe për policinë shqiptare, pasi është shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë. Sipas mediave ndërkombëtare ai ka jetuar në Islandë për rreth 7 vjet dhe është e qartë se kishte armiqësi midis tij dhe Armando Beqirit.
Armando Beqiri u ekzekutua me pistoletë silenciator më 13 shkurt në derë të shtëpisë, rreth orës 23:57, sapo ishe kthyer në shtëpi dhe kishte parkuar makinën. Autori i cili po e priste e ka qëlluar me më shumë se 5 plumba, pas shpine, në qafë dhe kokë, duke bërë që 33-vjeçari të ndërronte jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Ai jetonte prej vitesh në Islandë dhe ishte pronar i një kompanie sigurie fizike, që në shumë pak kohë kishte arritur një sukses të menjëhershëm.



