
Situata e vështirë e pandemisë në kryeqytetin spanjoll të Madridit ka sjellë edhe reagimin e qeverisë e cila ka bërë thirrje për masa më të ashpra të koronavirusin. Ajo thotë se do të ketë një ‘rrezik serioz’ për qytetarët nëse kjo nuk ndodh.
Madridi shtoi kufizimet me masa ekstra për disa zona të nxehta, por refuzoi ta bënte këtë për të gjithë qytetin. Sot ndërkohë Ministri i Shëndetësisë së Spanjës Salvador Illa tha se kufizimet aktuale nuk dhanë rezultatin që pritej.
Ai tha se ishte "koha për të vepruar me vendosmëri" për të kontrolluar pandeminë.
"Ekziston një rrezik serioz për banorët, për rajonet fqinje," tha Illa, duke u bërë thirrje autoriteteve rajonale të kryeqytetit "të vendosin shëndetin e qytetarëve në radhë të parë" dhe të imponojnë një bllokim të pjesshëm në të gjithë qytetin.
Rajonet e Spanjës janë të ngarkuara me kujdesin shëndetësor dhe kështu qeveria qendrore nuk ka fuqinë të vendosë kufizimet që preferon.
Kryeqyteti është më problematiku në Spanjë përsa i përket koronavirusit, njëjtë si në pikun e parë. Ndërkohë të premten Spanja regjistroi 12. 272 raste të reja, duke e çuar totalin e të prekurve në 716, 481, më i larti në Europën Perëndimore.
Spanja dhe shumë vende të tjera në hemisferën veriore janë përballur me një valë të dytë të pandemisë së koronavirusit në javët e fundit. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar një paralajmërim të fortë në lidhje me ringjalljen e virusit në Europë dhe vende të caktuara të botës teksa dimri po afrohet.



